Kosova (historikisht: Dardania,serbisht: Косово, Kosovo), zyrtarisht Republika e Kosovës (srb.: Република Косово, Republika Kosovo; anglisht: Republic of Kosovo), është një shtet i pavarur në Evropën Juglindore. Shtrihet në qendër të Siujdhesës Ballkanike dhe kufizohet në veri dhe në lindje me Serbinë, në juglindje me Republikën e Maqedonisë, në jugperëndim me Shqipërinë dhe në perëndim meMalin e Zi. Ka një sipërfaqe prej 10.887 km² dhe popullsi prej 1.8 milion banorësh shqiptarë, pasi që serbët kanë bojkotuar procesin e numërimit prej të cilëve afro 200 mijë banojnë në Prishtinë, kryeqyteti dhe qendra më e rëndësishme e vendit. Shumica dërrmuese e popullsisë janë shqiptarë, ndërsa komunitetet tjera përfshijnë serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptasit dhe goranët.
Me shpalljen e pavarësisë më 17 Shkurt 2008, Republika e Kosovës u bë shteti më i ri në botë. Është vatër e stabilitetit në rajon, si dhe synon anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kosova është vatër e vazhdimësisë së qytetërimit të lashtë iliro-dardan dhe e zhvillimit të gjuhës shqipe si pasardhëse e vetme e gjuhëve ilire. Në shek. IV p.K. u themelua Mbretëria Dardane, ndërsa më vonë pasuria nëntokësore e Kosovës luajti rol të rëndësishëm në ekonominë e Perandorisë Romake, Perandorisë Osmane dhe ish-Jugosllavisë.Megjithatë, politikat antishqiptare, luftërat, statusi politik dhe keqadministrimi ndërkombëtar e i politikës vendase në vitet e fundit kanë bërë që Kosova të radhitet si vendi më i varfër në Evropë dhe ndër më të varfrit në botë. Më 29 qershor u nënshkrua anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Të ardhurat nga diaspora dhe ndihma ekonomike e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara janë shtyllat e ekonomisë kosovare, që shënon mbi 40% të papunë.
Ish-njësi federale e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë,Kosova është vendi i fundit që e fitoi mëvetësinë si rrjedhojë e shpërbërjes së përgjakshme të kësaj federate. Në vitin 1990, Kosova u shpall republikë dhe në vitin 1991 shtet i pavarur, mirëpo nuk arriti ta jetësonte pavarësinë e vet në rrethanat e pushtimit ushtarak serb që zgjati plot një dekadë (1989-1999). Qëndresa paqësore mbarëpopullore,Lufta e Ushtrisë Çlirimtare (1997-1999) dhe ndërhyrja ajrore e NATO-s në pranverë të 1999 i dhanë fund genocidit të Serbisë mbi popullatën shqiptare të Kosovës. Trupat e NATO-s hynë në Kosovë në qershor 1999, ndërsa po largohej ushtria serbe, dhe Kosova u administrua nga një mision i Kombeve të Bashkuara deri në 2008. Më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran dhe deri më tani është njohur nga 86 vende në mbarë botën,por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia që pretendon sovranitet mbi gjithë territorin kosovar.Emri Kosovo është emërtim sllav i cili del në histori vetëm pas Betejës së Fushë-Kosovës. Para kësaj date vetëm emri Dardani del në burimet historike të kohës. Legjendat serbe këtë fushë e quajnë fusha e mëllenjave, të cilat besohen nga serbet se janën shpirtrat e luftëtarëve serbe të vrarë në atë fushë. Të gjithë studiuesit konfirmojnë se emri Kosovë vjen nga fjala serbe kos që do të thotë mëllenjë, kurse kosovo është trajta e kësaj fjale si mbiemër pas fjalës Polje (Fusha e mëllenjave). Emri Kosovë ishte i panjohur përpara Betejës së Fushë-Kosovës, dhe prapë mbeti ashtu dhe pas kësaj beteje deri në vitin 1864 kur Osmanët krijuan Vilajetin e Kosovës. Ka dhe hipoteza që emri ka prejardhje turke, pasi fjala ova do të thotë fushë, dhe fjala ku apo kush do të thotë zog. Moria e përsëritjes së emrit Kosovo në shumë shtete të tjera sllave apo të pushtuara më parë nga sllavët, është një fakt që hedh poshtë teorinë e prejardhjes turke të emrit.
E shtrirë në qendër të Siujdhesës Ballkanike, Kosova është vend që nuk ka dalje në det me reliev të larmishëm dhe zë një sipërfaqe prej 10.887 kilometrash katrorë. Ka gjithsej 702 kilometra vijë kufitare me shtetet përbri: 352 km me Serbinë, 159 km me Maqedoninë, 112 me Shqipërinë dhe 79 km me Malin e Zi.
Me reliev kryesisht në trajtë të pellgut lumor, Kosova është gjeografikisht e ndarë në dy rrafshe parësore, atë të Kosovës në lindje dhe atë të Dukagjinit në perëndim. Lartësia mbi nivelin e detit në rrafshe luhatet prej 400 deri në 700 metra, ndërsa pika më e ulët prej 297 metrash ndodhet në Vërmicë në kufi me Shqipërinë. Dy rrafshet janë të ndara dhe të rrethuara me vargmale të theksuara në lartësi prej 2.000 deri në 2.500 metra; pika më e lartë, Gjeravica, arrin në 2.656 metra. Lartësia mesatare mbi nivelin e detit është 811 metra. Nëntoka e Kosovës njihet për rezervat e mineraleve të rëndësishme si qymyri linjit, nikeli, plumbi, zinku, magnezi, kaolini, kromi, alumini, ari, argjendi, bakri etj.
Klima e Kosovës, e ndikuar nga rrymat ajrore kontinentale, përkufizohet nga dimër i ftohtë me reshje të rënda bore, si dhe vjeshtë e verë të nxehtë e të thatë. Njëherësh, në vise dhe lartësi të ndryshme mbi nivelin e detit vërehen ndikime mesdhetare dhe alpine
Ndonëse Kosova është një prej vendeve më të varfra me ujëra në Evropë, hidrografia e Kosovës shënon disa lumenj të rëndësishëm që derdhen në të gjitha detet e rajonit. Drini i Bardhë është lumi më i gjatë me 122 km, i cili bashkohet me Drinin e Zi në Shqipëri dhe bashkë derdhen në Detin Adriatik;Sitnica, Lumbardhi i Pejës, Morava e Binçës, Lepenci, Ereniku, Ibri dhe Lumbardhi i Prizrenit janë lumenjtë e tjerë të përmendur. Ndërkaq, rezervuarët artificialë të Gazivodës, Radoniqit, Batllavës dhe Badovcit llogariten si liqenet kryesore të vendit.
Janë 52 zona të mbrojtura në Kosovë që përkapin sipërfaqe prej 46.274 hektarë; prej tyre numërohet një park kombëtar (39.000 ha), 35 monumente natyrore (4.868 ha), dy sipërfaqe të mbrojtura (1.681 ha), si dhe 11 zona natyrore (698 ha). Pavarësisht rrezikun që u kanoset, pyjet e pasura me bung, ah, qarr e lis përbëjnë një pjesë të rëndësishme të botës bimore së bashku me kullosat. Prej bimëve të tjera janë të përhapura dardha e egër, murrizi, thana, trëndafili i egër, dëllinja dhe ulza. Ndërkaq, zonat kodrinore-malore janë më të pasur në lloje kafshësh. Përmenden iriqi lindor, miu, kaprolli, derri i egër, dreri dhe lepuri, si dhe shpendët si korbi i murrmë, laraska, shtura, habeli fushor, etj.
No comments:
Post a Comment