Kler - Bela ka një mik të dashur. Ai është plaku Olaf peshkatari.
Miqësia e tyre ka nisur kështu: një ditë Kler-Bela hodhi një grep në lumë për të zënë një peshk. Shumë shpejt zuri dy peshq të vegjël. Ishte tepër e lumtur dhe e ëma e lavdëroi. Në mbrëmje ajo hodhi tre grepa. Por në mëngjes nuk gjeti asnjë peshk.
Të nesërmen u ngrit dhe shkoi te lumi. U afrua buzë lumit dhe pa një njeri që ia vidhte peshqit. Kler-Bela nuk kishte frikë aspak. Ajo vrapoi pas vjedhësit dhe i tha:
- Ju më kini marrë peshkun tim!
Burri ngriti kokën dhe kur Kler-Belapa fytyrën e tij vuri re se ai ishte peshkatari që banonte në një shtëpi aty pranë.
- E di fare mirë që janë grepat tuaj, - i tha ai.
- Po përse, pra, m’i vidhni peshqit?
Burri e vështroi dhe i tha përsëri:
- Ti peshkon për t’u zbavitur dhe familja ime po vdes urie. Gruaja plakë dhe fëmijët e mi janë të sëmurë dhe unë nuk kam të holla për të blerë grepa.
Vajza e vogël u skuq dhe nuk iu përgjigj. Të nesërmen ajo shkoi te lumi. Në çdo grep gjeti nga një peshk. Ajo i vuri peshqit në bohçe dhe nuk shkoi për në shtëpinë e saj; shkoi te peshkatari.
- Ja peshqit, - thërriti ajo. - Ah! - ia bëri peshkatari plak. - Bukuri!
Ajo iu afrua burrit dhe e zbrazi bohçen para tij.
- Mbani ato që janë tuajat, - i tha ai. -Nuk dua të marr peshqit tuaj.
Por Kler-Belës nuk i bëhej për të ikur. Ajo i tha:
- Unë do të vij të të kërkoj çdo mëngjes; do të shkojmë bashkë për peshkim dhe kurdoherë do t’i ndajmë së bashku peshqit që do t’i zëmë.
Atëherë plaku buzëqeshi, ktheu sytë nga ajo dhe i tha:
- Mirë pra. Do të shkojmë së bashku për peshkim.
Qysh atëherë, peshkatari plak dhe çupa Kler-Bela, janë bërë miqë të ngushtë.
No comments:
Post a Comment