Gjatë mesjetës, zbulime të mëdha gjeografike kanë bërë popujt e Evropës Veriore, të ashtuquajtur normanët (njerëz të veriut). Fiset gjermanoveriore me emër të përbashkët paraqiten si normanë. Ata kanë banuar kryesisht në brezin e ngushtë bregdetar të Skandinavisë. Prej këtyre grupeve etnike më vonë janë formuar norvegjezët, suedezët, danezët dhe islandezët e sotëm. Normanët kanë qenë të përmendur për ndërtimin e anijeve cilësore. Bregdeti i përthyer ka ofruar strehim natyror për anijet ose kanë përgatitur sulme të papritura në anijet e vendeve të ndryshme.
Që në fillim të shekullit VIII normanët pushtuan ujdhesat Hebride, Farer dhe Shetlande. Në ujdhesën Islandë (Toka e akullt) arritën në vitin 867. Prej Islandës normanët kanë ndërmarrë lundrime të ndryshme. Ndërmjet tyre duhet të veçojmë Ejrih Rexhin (Ejrihu i Kuq). Duke lundruar nga Islanda në perëndim në vitin 982, arriti në Grenlandë. Në këtë ujdhesë të akullt, normanët kanë dalluar edhe brezin bregdetar të ngushtë e të gjelbërt të cilit sipas ngjyrës së kësaj pjese të ujdhesës i kanë dhënë emrin Ujdhesa e Gjelbërt. Djali i Ejrihut të Kuq, me emrin Lejf Erikson (Lejfi i lumtur), rreth vitit 1000 zbuloi Amerikën Veriore (Siujdhesën e Labradorit) dhe ujdhesat Njufaunlend, Vinlandë dhe Kejp Breton.
Por, ky zbulim ngeli i panjohur për popujt tjerë të Evropës, prandaj me kohë edhe vetë normanët këtë zbulim e qitën në harresë, kështu që pas 500 vjetësh Kristofor Kolomboja përsëri “zbuloj” Botën e Re (Amerikën).
Në gjysmën e dytë të mesjetës feudalizmi në Evropën Perëndimore dhe Jugore ka arritur shkallën më të lartë të zhvillimit. Rritja e fuqisë prodhuese solli ndarjen e punës, përkatësisht ndarjen e zejtarisë dhe të tregtisë prej bujqësisë. Ajo kushtëzoi veçimin e fshatit prej qytetit. Lindja e qyteteve të para si vendbanimtë tregtisë nuk ka filluar në të njëjtën kohë në çdo pjesë të Evropës. Qytetet më së pari paraqiten në bregdetin e Mesdheut, veçanërisht në Itali, e pastaj në Francë dhe Flandrijë, ndërsa më vonë edhe në pjesët tjera të Evropës.
Zhvillimit të lidhjeve tregtare ndërmjet Evropës dhe vendeve të Lindjes i kanë kontribuar shumë luftërat e kryqëzatave që kanë zgjatur, me ndërprerje, prej vitit 1096 deri në vitin 1270. Gjatë kohës së luftërave të kryqëzatave, zhvillohet tregtia në disa qytete të Italisë, si për shembull në Venedik, Gjenevë dhe Pizë. Marinarët italianë morën shumë njohuri nga arabët. Nëpërmjet arabëve ata u njoftuan me busullën, për të cilën në Kinë kanë ditur që në kohët e lashta. Detarët italianë filluan të përdorin busullën që nga shekulli XIII. Atëherë fillojnë edhe me punimin e hartave precise, të cilat i quajnë “portolanë”. Në këto harta besnikërisht janë paraqitur bregdeti i vendeve mesdhetare, me pozita të sakta të porteve më të rëndësishme. Portolanët ose hartat e busullës janë punuar në pergamena dhe kanë qenë pa koordinata gjeografike.
Hartat portolane e kanë pasur rrjetin e busullës, me të cilin kanë paraqitur pozitën e anëve kryesore të botës edhe me 28 anë plotësuese. Qendra e këtyre rrjetave është paraqitur në formë të trëndafilit të erës dhe prej tyre kanë nisur drejtimet e busullës. Punimi i portolaneve kanë paraqitur kthesë të vërtetë në zhvillimin e hartografisë. Për shkak të dedikimit të tyre specifik dhe përdorimit të busullës për orientim është marrë drejtimi i veriut e jo lindja ose jugu, si ka qenë rasti me hartat e manastireve dhe me hartat e tjera mesjetare. Përveç kësaj, përmbajtja e tyre themelore ka qenë e paraqitur në mënyrë mjaft objektive dhe në pikëpamje gjeografike e ngulitur saktë.
Në shekullin XV sërish filloi të mbizotërojë mendimi mbi formën sferike të Tokës dhe u përpilua edhe harta e botës nga astronomi firenikas, Toskaneli. Në këtë hartë paraqitet Toka në formë të rrumbullakët. Mirëpo, Azia Lindore gjendet në perëndim të Oqeanit Atlantik. Në këtë hartë nuk ka qenë i shënuar fare kontinenti i Amerikës, për të cilin evropianët e asaj kohe nuk dinin gjë.
Marko Polo
Marko Polo (1254-1325), besohet se u lind në Korçullë. Ishte udhëtari dhe udhëpërshkruesi më i njohur i asaj kohe. Si misionar dhe përfaqesues i Venedikut qëndroi në Kinë 15 vite, ndërsa edhe 9 vite në vende të ndryshme aziatike. Pra, udhëtimi i zgjati plot 24 vite. Udhëtoi në Palestinë, në Kurdistan, në Armeni, në Irak, në Iran, në Afganistan, në Tibet dhe arriti në Kinë. Marko Polo gjatë qëndrimit në Kinë i vizitoi pothuajse të gjitha viset e saj. Pastaj u kthye për në Venedik, duke kaluar nëpër Indonezi, Shri Lankë, Iran, Irak, Kurdistan, Armen dhe arriti në Venedik. Më zbulimet e tij është dëshmuar se Azia nga lindja nuk përfundon me pyje të pashkelura dhe me moçale, si ka menduar Ptolemeu, por buzëdeti i saj është i përshtatshëm për anije. Tri vite pas kthimit në Itali, Marko Polo merr pjesë në luftën e Venedikut kundër Gjenovës te ujdhësa e Korçullës, në të cilën luftë u zu rob dhe u burgos.
Në burg, Marko Polo i tregoi shokut të vet nga Piza, Rusticianit, përshkrimet e vendeve, nëpërmjet të cilave ka kaluar. Pasi Rusticiani doli nga burgu, publikoi librin në gjuhën frënge me titullin “Libri i zotëri Marko Polos mbi mbretërit dhe çudirat e Lindjës”. Në këtë libër, ekzistonin shënime të rëndësishme gjeografike për vendet e Lindjes së Largët, të cilat në Evropë askush nuk i ka njohur. Prandaj, ky libër për një kohë shumë të shkurtër përkthehet në shumë gjuhë dhe bëhet më se i nevojshëm për të gjithë udhëtarët e mëvonshëm që udhëtojnë për në Indi, në Kinë dhe në vende të tjera të Lindjes së Largët. Më 1290 vetë Marko Polo, shkroi librin me variant të ri. Veprën e pagëzoi “Mbi shumëllojshmërinë e botës”, në bazë të vrojtimeve personale dhe dëgjimeve. Kjo vepër e Marko Polos është vepër kapitale për ato vise ku ai qëndroi. Hulumtimet gjeografike të Marko Polos, kanë çelur një periudhë të re në zhvillimin e shkencës gjeografisë.
sikur të kishte edhe ndonjë foto do të ishit fenomenal
ReplyDelete