Zbulimet e mëdha gjeografike nga fundi i shekullit XV dhe në fillim te shekullit XVI kanë pasur rëndësi të madhe për zhvillimin e shkencës në përgjithësi e në veçanti të gjeografisë. U pa se mendimet e dhëna deri atëherë mbi formën dhe madhësinë e Tokës si dhe mbi shpërndarjen e kontinenteve dhe të deteve në të, nuk i përgjigjen realitetit. Me zbulimin e rrugëve dhe vendeve të reja janë krijuar kushte të përshtatshme për zhvillimin e tregtisë. Tregtia e zhvilluar ka kërkuar anije më të përsosura e më të shpejta dhe harta e mjete të tjera bashkëkohore. Për një kohë relativisht të shkurtër, filluan zbulimet e reja teknike dhe zhvillimi i shpejt i hartografisë.
Abraham Ortelius
Abraham Ortelius (1527-1598) ka qenë kosmograf (përshkrues i botës, i gjithësisë) flaman. Është treguar me aftësi të jashtëzakonshme në lëmin e hartografisë dhe është konsideruar si paraardhës i hartografisë bashkëkohore. U lind në Andverpen. Andverpeni, në atë kohë ka qenë i Holandës, ndërsa tani është i Belgjikës.
Andverpeni në atë kohë ka qenë qendër botërore shumë e rëndësishme për tregti e detari, ku në të njëjtën kohë zhvillohej edhe veprimtaria intensive hartografike. Nga kjo qendër kemi vepra të shumta hartografike të asaj kohe Orteliusi ka udhëtuar në vende të ndryshme të Evropës. Në ato vende ka mbledhur një numër të madh të hartave, të cilat i ka ribotuar në punëtorinë e vet hartografike dhe i ka shitur. Më 1570 Orteliusi boton hartën e re të botës në të cilën saktësisht paraqitet pozita dhe dukja e të gjitha kontinentëve, madje edhe e “Kontinentit Jugor”, që ende nuk ishte i zbuluar.
Pas një dekade botoi edhe përmbledhjen e hartave me titull “Dritarja e sferës botërore”. Kjo përmbledhje ka pasur 53 harta. Në anën e prapme të këtyre hartave e ka dhënë edhe tekstin gjegjës, në të cilin veçanërisht vihej në pah pozita, karakteristikat gjeografike dhe mënyra e jetesës së banorëve. Ky atlas disa herë u ribotua, në ribotimin e fundit të vitit 1612 numri i hartave në të u rrit në 166. Duke njohur mirë edhe gjeografinë e asaj kohe, Orteliusi, me 1578 botoi fjalorin e emrave gjeografik “Sinonime Gjeografike” me sqarime për domethënien e tyre.
Gerhard Kremer
Gerhard Kremer i njohur me emrin Merkator (1512-1594) merr vendin udhëheqës në hartografinë Holandeze, madje edhe botërore të shekullit XVI. Ende si student i filozofisë, duke mos pasur burime më elementare jetësore, fillon të mirret me përpilimin dhe skalitjen e hartave gjeografike. Pastaj shpërngulet prej Andverpenit në Duizburg, në të cilin qytet është e lidhur krijimtaria kulminante e tij. Harta e tij botërore më e përmendur është punuar me projeksionin hartografik të cilindrit original. Në këtë projeksion meridianët dhe paralelet priten me kënde te drejta.
Kjo hartë është botuar më 1569, ndërsa atlasi, në të cilin e përgatiti, është botuar me angazhimin e të birit një vit pas vdekjes së tij (1595). Në historinë e hartografisë është rasti i parë, që për përmbledhjen e hartave gjeografike hasim termin “Atlas”. Veprat e Merkatorit paraqesin kthesë në hartografi. Ai, i pari, ka dëshmuar se polet gjeografike dhe magnetike nuk përputhen. Për meridian fillestar ka marrë atë që kalon përmes ujdhesës Korvo, nga grupi i ujdhesave Azore, pasi në këtë ujdhesë deklinacioni magnetik është baraz me zero.
Merkatori pos me hartografi është marrur edhe me hartimin e veprave gjeografike dhe historike.
Abel Tasmani
Abel Tasmani (1603-1659) ka qenë detar dhe hulumtues holandez. Gjatë viteve 1642-1644 u njoftua në detaje me bregdetin jugor të Australisë dhe ujdhesën e Van Diemenit. Por, prej vitit 1855, ujdhesa e Van Diemenit quhet ujdhesa e Tasmanisë. Ky hulumtues zbuloi Ujdhesën Jugore të Zelandës së Re dhe pjesën veriore te Australisë Perëndimore.
Xhems Kuki
Xhems Kuki (1728-1779), ka qenë detari dhe hulumtuesi me i njohur anglez i shekullit XVIII. Ky detar lundroi rreth Australisë dhe dëshmoi se është kontinent i veçantë. Hulumtoi hollësisht Zelandën e Re dhe dëshmoi se ajo përbëhet prej Ujdhesës Veriore dhe asaj Jugore, që ndahet në mes vete me anë të ngushticës detare. Ajo ngushticë detare më vonë merr emrin e këtij hulumtuesi. Xhems Kuki zbuloi një numër të madh të ujdhesave në Oqeanin Paqësor, ku një grup i këtyre ujdhesave quhet me emrin e tij, përkatësisht Ujdhesat e Kukit.
Në fund të shekullit XVIII kanë qenë të njohura gati të gjitha pjesët e Tokës. Të panjohura kanë mbetur vetëm viset polare, viset e paarritshme në brendësinë e Afrikës e të Amerikës Jugore dhe majat me të larta malore.
No comments:
Post a Comment