Zhvillimi i mendimit mbi formën e Tokës
Njerëzit prej kohëve më të vjetra janë interesuar për formën dhe madhësinë e Tokës. Popujt e vjetër kanë pasur mendime naive për formën e Tokës. Me zhvillimin e mendimit njerëzor u zhvilluan edhe kuptimet mbi formën e Tokës. Kuptimet mbi formën e Tokës kaluan përmes tri fazash : fazës primitive, fazës filozofike dhe fazës shkencore.
Faza primitive - në fazën primitive, njerëzit, duke qenë nën përshtypjen e drejtpërdrejtë të horizontit dhe formës së tij, mendonin se Toka ka formën e pllakës së rrumbullakët të palëvizshme, e cila nga të gjitha anët është e rrethuar me detin dhe nuk është aq e madhe. Për egjiptasit tërë bota ka qenë vetëm Egjipti, ndërsa për asirianët dhe babilonasit vetëm Mesopotamia. Grekët e vjetër kryesisht e përfytyronin Tokën në formën e mburojës, në qendër të së cilës gjendej Jellada (Greqia). Indusët e vjetër e kanë menduar Tokën si pllakë që e bartin në shpinë tre elefantë të mëdhenj, të cilët qëndrojnë mbi breshkën gjigante e kjo notonte në oqeanin e pafund. Edhe sot, te disa popuj primitivë, ekziston besimi se Toka është një pllakë e madhe, të cilën e bartin tri balena duke notuar në oqeanin e pafund. Kur lëvizin këto shtazë, pllaka luan prej vendit e për këtë arsye shkaktohen tërmetet.
Faza filozofike - Mendimet filozofike paraqesin një përparim mjaft të dukshëm në lidhje me formën e Tokës. Filozofët e vjetër grekë nuk japin asnjë dëshmi, por vetëm në bazë të të menduarit logjik, vijnë në konkludim mbi formën e Tokës. Prandaj këto mendime quhen edhe deduktive.
Anaksimandri- mendonte se Toka e ka formën e cilindrit të cekët, ku lartësia është tri herë më e vogël se baza. Ajo rri pezull në gjithësi dhe vetëm pjesa e saj e epërme është e banuar. Si përfaqësues të mendimit filozofik, mbi formën e Tokës kanë qenë edhe Pitagora dhe Anaksagora.
Pitagora- u lind rreth vitit 500 para erës së re. Gjatë sundimit të Polikratit, ka qenë i detyruar ta lëshoj ujdhesën Samos dhe të vendoset në qytetin Kroton të Italisë jugore. Konsiderohet se është themeluesi i matematikës si shkencë. Pitagora përfaqësonte principin e harmonisë - përsosmerisë dhe konsideronte se Toka e ka formën e trupit më të përsosur gjeometrik - formën sferike.
Anaksagora- (500-428 p.e.s.) u lind në Klazumene. Ka zhvilluar veprimtarinë filozofike në Athinë. U padit si ateist për shkak të doktrinës se “Dielli është masë e zjarrtë”. Shpetoi nga dënimi duke u arratisur në Lampsak. Shkroi veprën “Mbi natyrën”. Nga kjo vepër janë të ruajtura vetëm disa fragmente. Është përfaqësues i principit të analogjisë - ngjashmërisë dhe konsideronte se Toka, sikurse edhe trupat e tjerë qiellor (Dielli dhe Hëna) ka formën sferike, është e madhe por e lehtë.
Faza shkencore - Mendimet shkencore mbi formën e Tokës janë bazuar në vërtetime dhe në matje. Vërtetimin më të vjetër, mbi formën sferike të Tokës, e ka dhënë filozofi, astronomi dhe matematikani grek Eudoksi.
Eudoksi- (409-355 p.e.s.) nga Knida, në bazë të ndërrimit të këndit, nga i cili shihet ndonjë yll duke lëvizur në drejtim të meridianit. Toka sikur të ishte në formë të pllakës, atëherë rrezet e Diellit gjithmonë kishin për të rënë në sipërfaqen e Tokës me kënde të njëjta, përkatësisht lartësia e yjeve që lëvizin në drejtim të meridianit nuk kishin për të ndryshuar, ashtu që këndi a do të ishte baraz me këndin a1, a2, a3 dhe a4. Por, këndi nga i cili shihet Ylli Polar vjen e rritet, kur njeriu udhëton në drejtim të veriut, ndërsa zvogëlohet, kur shkon kah jugu në drejtim të ekuatorit. Vëzhguesit në ekuator kanë vërejtur se Ylli Polar është në rrafshin e horizontit.
Aristoteli - (384-322) ka konstatuar se në kohën e zënies së pjesërishme të Hënës, hija e Tokës që bie në Hënë gjithnjë ka formën rrethore. Pra, vetëm trupat që kanë formën sferike mund ta hedhin hijën rrethore.
Plini (Plinius)- (23-79) ka qenë shkencëtar i shquar romak. Vepra e tij quhet “Historia e natyrës”. Ajo përbëhet prej 37 librash. Në realitet kjo vepër ka qenë si një lloj i enciklopedisë me shënime nga gjeografia, kozmografia, etnografia, biologjia, mjekësia, mineralogjia dhe nga arti. Ai si dëshmi që Toka e ka formën sferike merr zhdukjen e anijes nga syri i shikuesit që gjendet në liman (buzëdet)
Forma sferike e Tokës mund të dëshmohet edhe në bazë të hijës, jo të njëjtë, që hedhin objektet e ndryshme me lartësi të njëjtë. Në viset polare objektet hedhin hije më të gjata, ndërsa në ekuador, më të shkurta. Kjo dëshmohet edhe me anë të globit. Nëse në një meridian të globit vendosim gjilpërat me kokë në gjërësi të ndryshme gjeografike dhe atë anë të globit e kthejmë kah Dielli, do të shohim se hija e gjilpërës me kokë do të jetë më e gjatë duke shkuar prej ekuatorit kah poli.
Dëshminë më të sigurt se Toka ka me të vërtet formën sferike, na ka dhënë ekspedita e Ferdinand Magelanit (1519-1522). Pjesëmarrësit e saj kanë lundruar rreth e përqark Tokës për tre vjet, duke u nisur në perëndim dhe janë kthyer kah lindja. Në vitin 1946 Toka është gjiruar nga raketa në lartësi prej 170 km dhe forma sferike e e saj ka qenë mjaft e qartë. Më 1957 sovjetikëve u shkoi për dore të lansojnë satelitin artificial të qarkullojë rreth e përqark Tokës, ndërsa me 1960 edhe satelitin bashkë me njeriun. Satelitët artificial xhirojnë edhe emitojnë fotografitë për Tokën nga të cilat shihet qartë forma sferike e saj.
Dëshmitë mbi formën elipsoide të Tokës
Fizikani i famshëm anglez, Isak Njutni (1642-1727) dhe astronomi e fizikani i njohur holandez Kristian Hajgensi (1629-1695) kanë konsideruar se Toka, për shkak të lëvizjes rreth boshtit të vet, ka formën elipsoide, d.m.th. në pole është e shtypur, ndërsa në ekuator, e mufatur. Në këto përfundime mbi formën e Tokës ata arritën në mënyrë teorike, në bazë të llogaritjeve matematikore dhe të ligjeve të vërtetuara fizike.
Vërtetimin e mendimit mbi formën elipsoide të Tokës e kanë dhënë matjet e forcës tërheqëse të Tokës të fizikanit, astronomit dhe akademikut të përmendur francez Zhan Risheut.
Zhan Risheu- më 1672 konstatoi se lavjerrësi sekondar i Parisit (që shtrihen në 48º 50’ të gjerësisë gjeografike të veriut) ngel prapa, përkatësisht vonohet në Kajenë (në kryeqytetin e Guajanës franceze në Ameikën Jugore, që shtrihet në 4º 56’ gj.gj.v). Në bazë të kësaj ka përfunduar se forca tërheqëse e Tokës është me e dobët në Kajenë se në Paris.
Kjo dukuri është e natyrshme, sepse Toka për shkak të rotacionit është e shtypur në pole ndërsa në formë të mufatur në ekuator dhe ka formën e elipsoidit. Për këtë arsye vendet në sipërfaqen e Tokës, që janë më afër ekuatorit janë më larg prej qendrës së Tokës se vendet që janë më afër poleve. Prandaj edhe ndikimi i forcës tërheqëse të Tokës (graviteti) në vendet e para është më i dobët se sa në ato të fundit. Nga kjo rrjedh se një send që në ekuator peshon 1000 kg në pole do të peshoj 1005 kg.
Gjeoidi - forma e vërtetë e Tokës
Matjet e përpikta të forcës tërheqëse të Tokës (graviteti) dëshmuan se Toka nuk është një trup gjeometrik i rregullt - elipsoid. Forca tërheqëse e Tokës është më e madhe në det (ku lavjerrësi luhatet më shpejt), e më e vogël në kontinent (ku ai luhatet më ngadalë). Në bazë të shumë matjeve të tilla (mbi 400) është konkluduar se Toka e ka formën e elipsoidit valëvitës që më 1873 gjeofizikani Listingu, për herë të parë e quajti gjeoid (greqisht : ge - tokë dhe eidos - pamje). Sipërfaqja e gjeoidit në det shtrihet nën sipërfaqen e elipsoidit, kurse në kontinent mbi sipërfaqen e elipsoidit.
Dimensionet e Tokës dhe përcaktimi i tyre
Deri me tani dihet se matjen dhe llogaritjen e parë të perimetrit të Tokës e ka bërë drejtori i bibliotekës së Aleksandrisë, Eratosteni, 225 vjet para erës sonë. Eratosteni ka ditur që largësia midis Sienës (Asuani i sotëm në Egjipt) dhe Aleksandrisë, është 5000 stadijë (1 stadijë ka 158 m). Për ta gjetur rrethin e Tokës kah meridiani, largësinë midis Sienës dhe Aleksandrisë (5000 stadijë) ka shumëzuar me numrin 50 dhe ka fituar rrethin (perimetrin) e Tokës prej 250.000 stadijësh (5.000 x 50 = 250.000 stadijë). Kësaj vlere, për shkak të njëfarë korrektureje, Eratosteni shtoi edhe 2.000 stadijë. Prandaj, vlera përfundimtare e rrethit të Tokës ka qenë 252.000 stadijë. Nëse stadijën e shndërrojmë në kilometra, atëherë do të fitojmë rrethin e Tokës prej 39.816 km. Pra, rezultati i fituar ndryshon shumë pak (183km) nga shënimet e sotme mbi madhësinë e rrethit të Tokës kah meridiani që është 40.009 km. Dallimi është vetëm 183 km. Ky gabim relativisht i vogël është si pasojë :
- 1. E mosshtrirjes së Sienës e të Aleksandrisë në të njëjtin meridian. Aleksandria shtrihet për 3º në perëndim të Sienës.
- 2. Siena nuk shtrihet në tropikun verior, por diçka më në veri të tij.
- 3. Skafioni, me anë të të cilit janë matur këndet e rënies së rrezeve të Diellit, nuk ka qenë i përsosur dhe nuk ka mundur të japë shënime precize.
Për matjen e këndeve të rrezeve të Diellit përdoret skafioni, është në formë të gjysmësferës së zbrazët.
Në kohën e vjetër dhe të mesme janë bërë përpjekje të shumta për caktimin e dimensioneve të Tokës, por jo me aq sukses. P.sh. Filozofi grek Posediu në shekullin e parë të erës së re, bëri mjaft përpjekje për caktimin e dimensioneve të Tokës. Ai llogariti se perimetri i Tokës është 37.920 km. Me caktimin e dimensioneve të Tokës janë marrë edhe arabët në shëkullin e IX. Ata kanë qenë të parët, që përveç matjeve astronomike, kanë bërë edhe matje gjeodezike. Arabët më 827 konstatuan se perimetri i Tokës është 39.184 km.
Më 1525 matematikani dhe mjeku i Parisit, Zhak Ferneli, në mënyrë origjinale bëri përpjekje për caktimin e perimetrit të Tokës. Parisin me Amijenin e lidhte rruga e drejtë në drejtim të meridianit, përkatësisht veri-jug. Largësinë në mes të këtyre dy qyteteve e caktoi në këtë mënyrë. Më së pari e mati perimetrin e rrotes së karrocës, pastaj në rrotë e vuri një aparat që mati numrin e rrotullimeve të rrotës prej Parisit deri në Amijen. Duke e shumëzuar gjatësinë e perimetrit të rrotës me numrin e rrotullimeve, fitoi largësinë në mes të këtyre dy qyteteve përkatësisht gjatësinë e harkut të meridianit, që i përgjigjet largësisë këndore ndërmjet Parisit dhe Amijenit. Pastaj, në bazë të gjatësisë së harkut dhe këndit gjegjës, ngjashëm si edhe Eratosteni, llogariti perimetrin e Tokës. Vlera e fituar prej 40.045 km ka qenë vetëm 36 km më e madhe sesa perimetri i njëmendët i Tokës kah meridiani.
Pra, zyrtarisht merret se Toka ka formën elipsoide. Por, shushmëria e saj është e vogël. Caktimi i dimensioneve të Tokës është me rëndësi për përpilimin e hartave të sakta. Pastaj, caktimi i dimensioneve të Tokës ka shërbyer si bazë për caktimin e njësive për matjen e gjatësisë. Njësia themelore për matjen e gjatësisë është marrë metri. Në lidhje me madhësinë e Tokës është edhe milja gjeografike dhe milja detare (milja nautike). Gjatësia e miljes është 1609 m, ndërsa e miljes detare është 1852 m.
No comments:
Post a Comment