Wednesday, March 5, 2014

Gjeografia në periudhën Romake

Gjatë periudhës romake zgjerohet mjaft horizonti i diturie gjeografike. Përhapja e diturive gjeografike në këtë periudhë ka qenë e lidhur ngushtë kryesisht me luftërat dhe pushtimet e atëhershme, e posaçërisht edhe në lidhje me tregtinë. Në atë periudhë janë ndërtuar rrugë, fortifikata pranë urave, kampe ushtarake dhe të ngjashme. Të gjitha këto kërkonin njohjen e mirë të viseve të pushtuara. Duke okupuar tërë Italinë, Galinë Jugore, Spanjën, Kartagjenën, Maqedoninë, pastaj romakët kanë pushtuar edhe Ilirinë, Greqinë, Azinë e Vogël, Sirinë, Fenikinë, Armeninë, Sudanin dhe Egjiptin. Në kohën e perandorit Anton Augustini, Deti Mesdhe është quajtur “Liqeni Romak” meqë pushteti romak, shtrihej prej Oqeanit Atlantik në perëndim deri në Eufrat në lindje dhe prej Detit të Veriut e Baltik, në veri deri në Saharë në jug.

Straboni

Straboni ka jetuar prej vitit 63 p.e.s. deri në vitin 21 të erës së re. Ka bërë shumë udhëtime në vende të ndryshme të botës deri atëherë të njohura. Në bazë të këtyre udhëtimeve shkroi veprën e tij voluminoze me titull “Gjeografia”, e cila përbëhet prej 17 librash. Kjo vepër paraqet sintezën e diturive gjeografike të deri atëhershme dhe zhvillimin e shkencës së gjeografisë. Në dy librat e para janë dhënë dituritë themelore të gjeografisë së përgjithshme, kurse tetë libra i janë kushtuar Evropës, gjashtë Azisë dhe një Afrikës. Për pozitën e Tokës në gjithësi, ai ka qenë ithtar i sistemit gjeocentrik. Ka qenë edhe ithtar i të ashtuquajturës “Teori oqeanike”, sepse e ka menduar Tokën si ujdhesë të rrethuar nga oqeani i jashtëm, kurse në Tokë, sipas tij, depërtojnë katër gjire : Gjiri Kaspik, Gjiri Persik, ai Mesdhetar dhe Deti i Zi. Sipas Strabonit, Deti Mesdhe ka qenë qendra e botës. Në përshkrimin e vendeve të ndryshme, ai jep jo vetëm karakteristikat natyrore, por edhe ato të popullsisë me disa shënime arkeologjike, kulturore dhe historike. Veçanërisht në mënyrë detale ka përshkruar Siujdhesën e Apenineve, si dhe vendet tjera mesdhetare. Ai i ka njohur shumë mirë vendet dhe popujt e Siujdhesës Ballkanike.

Kllaudie Ptolemeu

Shkencëtari më i madh i periudhës së Perandorisë Romake, pa mëdyshje ka qenë Ptolemeu (90-168). Është me prejardhje greke, por ka jetuar në Aleksandri dhe është marrë me astronomi, matematikë, gjeografi dhe hartografi. Vepra e tij më e rëndësishme është “Megali sintaksis” që do të thotë “Vepra e madhe”, në të cilën ai përshkruan tërë botën e njohur të atëhershme dhe paraqet kuptimin mbi “Sistemin e botës”. Kjo vepër përkthehet më vonë në gjuhën arabe me emrin “Almagest”. Sipas Ptolemeut Toka ka formë sferike, është e palëvizshme dhe gjendet në qendër të gjithësisë. Rreth saj rrotullohet Dielli, Hëna dhe trupat e tjerë qiellor. Ky pohim i Ptolemeut për Sistemin Gjeocentrik, ndonëse jo i saktë, ka zotëruar gjatë tërë mesjetës. Ptolemeu i ka kushtuar kujdes hartografisë, që ka qenë rast i përgjithshëm në Perandorinë Romake. Vepra e tij shumë e rëndësishme gjeografike dhe hartografike me titull “Udhëheqja gjeografike” përbëhet prej tetë vëllimesh. Ai ka menduar se gjeografia është lëmi e pavarur e diturisë njerëzore.Në të ka veçuar dy drejtime : drejtimin gjeografik dhe hartografik (hora - vend, krahinë).Në drejtimin gjeografik ka përfshirë gjeografinë matematike dhe hartografinë. Sipas tij gjeografia para së gjithash është shkencë mbi paraqitjen hartografike të tokës. Hartografia mirret me përshkrimin në detaje të vendeve të ndryshme. Në këtë vepër bënë fjalë edhe për Ilirikun, përkatësisht për Dalmacinë, Liburinë, Mezinë e Epërme, Maqedoninë, etj. Libri i tetë i kushtohet hartografisë. Në këtë libër paraqiten 27 harta, prej të cilave, një është harta e botës “Orbis terrarum”, ndërsa 26 janë të vendeve të ndryshme.
Në veprat e Strabonit dhe Ptolemeut janë mbledhur gati të gjitha dituritë gjeografike të kohës së vjetër. Mund të konstatohet lirisht se ato dituri nuk kanë qenë të vogla. Këtë më së miri e dëshmon fakti, se gjeografët e shteteve më të zhvilluara të Evropës Perëndimore deri në shekullin XV nuk kanë pasur gati asnjë dituri gjeografike më tepër se ajo që ka mbetur prej romakëve dhe grekëve të vjetër. Në këtë kohë për shkaqe strategjike e politike, romakët kanë ndërtuar rrjetin e dendur të rrugëve që kanë lidhur edhe provincat më të largëta, përgjatë këtyre rrugëve ushtarake kanë bërë matjet terestrike. Si rezultat i këtyre matjeve kanë qenë hartat rrugore me tabela dhe me komentime. Ato janë harta rrugore që quhen itinerare ose itineraria pikta.

No comments:

Post a Comment