Fillet e njohurive të gjeografisë shkencore paraqiten në fillim të periudhës skllavopronare dhe janë në lidhje me tregtinë, detarinë dhe me fushatat ushtarake. Hulumtimet e bëra arkeologjike, zbulimet e kulturës materiale të gjetur nën dheun shumë shekullor dhe dokumentet e vjetra të shkruara argumentojnë se dikur popujt me kulturë të lartë të kohës ishin ata të : Kinës, Indisë, Mesopotamisë, Fenikisë, Egjiptit etj.
Në Azinë Lindore shumë herët paraqitet Perandoria e fuqishme dhe kultura shumë e zhvilluar kineze. Thelbi i këtij shteti dhe kësaj kulture gjendej në ultësirën e gjerë pranë lumit Hoangho (Lumi i Verdhë). Lugina e Hoanghos ka qenë e banuar që në Paleolitin e hershëm. Territori i gjerë kinez shpeshherë u është ekspozuar sulmeve nga fiset luftarake të Azisë Qendrore. Me qëllim të mbrojtjes sa më të suksesshme nga sulmet e shpeshtuara të nomadëve nga veriu, kinezët prej shekullit IV deri në fundin e shekullit të II p.e.s. kanë ndërtuar “Murin Kinez“. Gjatësia e tij është 2480 km, lartësia 16 m, ndërsa gjerësia 5-8 m. Në ndërtimin e tij murën pjesë rreth 2 milion fshatarë dhe skllevër që u mobilizuan me dhunë.
Një nga arritjet më të mëdha të kulturës kineze është aplikimi i shkrimit. Shkrimi hieroglifik kinez njihet që nga epoka Shang - Jin në shekullin XVIII p.e.s. dhe ai deri me sot nuk është ndryshuar. Në Kinën e lashtë u zbuluan letra, baruti, busulla, kompasi dhe seizmografi.
Mesopotamia (greqisht: mesopotamus - midis lumenjve) shtrihet ndërmjet lumit Eufrat dhe Tigër. Gjatë prurjes së madhe të ujërave në këta lumenj vjen deri të vërshimet. Pas vërshimeve tërheqja e ujit lente pas shtresë të trashë lymi që e bënte dheun mjaft pjellor. Në kohërat e hershme, pas vërshimit, fara hidhej pa u bërë lëvrimi dhe pastaj lëshoheshin shtazët që ta shkelin farën. Në këtë mënyrë është mbjellur Toka. Në këtë trevë, që nga nga kohërat e vjetra, janë zhvilluar dy perandori të fuqishme: Babilonia në jug dhe Asiria në veri.
Gjeografia asiro - babilonase fillon të zhvillohet rreth 30 shekuj para erës së re. Prej asaj kohe rrjedhin planet më të vjetra kadastrale. Asiro - Babilonasit kanë konsideruar se Toka është pllakë e rrumbullakët e palëvizshme, e cila është e mbështetur fort në shtyllat e mëdha prej gurit. Në mesin e saj gjendet Mesopotamia. Tokën nga të gjitha anët e rrethon deti, ndërsa qielli si hijëz (ombrellë) mbështetet në majat e maleve. Babilonasit kanë ardhur deri të disa konstatime të sakta mbi Diellin si burim i dritës, i ngrohtësisë dhe i jetës në Tokë. Prej tyre deri më sot ka mbetur ndarja e eliptikes në zodiak, viti në 12 muaj, dita në 24 orë dhe rrethi 360 shkallë.
Fillet e gjeografisë egjiptiane nisin prej shekullit XXVIII p.e.s. Në kohën e Mbretërisë së vjetër, përkatësisht prej shek. XXVIII deri në shek. XXV p.e.s. për egjiptasit Egjipti ka qenë tërë bota.
Faraoni Keopsi (rreth 2500 p.e.s.) ndërtoi piramidën më të madhe në botë, te fshati i sotëm Giza. Baza e piramidës është 236m, ndërsa lartësia e saj është 177 m. Ndërtimi zgjati rreth 20 vite. Pranë tempullit të Keopsit, u ndërtuan edhe tri piramida më të vogla për kushërinjtë e tij.
Horizonti i gjeografisë egjiptase zgjerohet kah fundi i shek. VII p.e.s. kur çelet kanali lundrues Nil - Deti i Kuq. Ky kanal lundrues hapet në kohën e Faraonit Neho (609-594 p.e.s.). Me urdhrin e Nehës detarët fenikas kanë lundruar kah Kepi i Shpresës së Mirë dhe përmes Gjibraltarit e Detit Mesdhe arrin në Egjipt. Ky udhëtim zgjati 3 vite.
Gjatë kohës së vjetër me emrin Feniki është quajtur brezi i ngushtë bregdetar në Mesdheun lindor, përkatësisht Libani i sotëm. Fillet e gjeografisë fenikase paraqiten pre shek. XX p.e.s. Fenikia ishte e pasur me bakër, hekur dhe metale të ndryshme. Fenikasit ishin të parët që e prodhuan qelqin e tejdukshëm. Fenikasit e kanë njohur pjesën më të madhe të botës së vjetër : prej Britanisë dhe Baltikut në veti e deri në pjesën më jugore të Afrikës dhe prej Atlantikut në perëndim e deri në Borneu në lindje. Është dëm i madh që fenikasit për shkaqe tregtare, shënimet për këto vende i kanë mbajtur në fshehtësi. Prandaj, nuk dihet mirë se sa ka qenë e saktë njohuria e tyre për këto vende.
No comments:
Post a Comment