Gjatë shekullit XV horizonti i njohurive gjeografike mbi planetin tonë zgjerohet mjaft. Evropianët njihen hollësisht me të gjitha pjesët e kontinentit të tyre. Me ndërmjetësinë e arabëve dhe me shkëmbimin tregtar ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, janë njohur hollësisht vendet e Afrikës Veriore, Lindjes së Afërt dhe të Mesme. Misionet diplomatike, fetare dhe tregtare të shteteve evropiane, të cilat kanë shkuar në Indi, Mongoli dhe në Kinë, kanë kontribuar në njohjen gjeografike të vendeve të Azisë Jugore, Qendrore dhe Lindore.
Fundi i shekullit XV paraqet fillimin e epokës së re në jetën e popujve të Evropës. Ajo është epoka e paraqitjes së rendit të ri shoqëroro-politik, përkatësisht të kapitalizmit. Në këtë kohë diktatura shpirtërore e kishës shkallmohet. Veprat e filozofëve dhe shkencëtarëve antikë u bënë të afërta njerëzve të arsimuar. Në këtë kohë janë arritur suksese të mëdha në shkencë, teknikë dhe në detari. Teknika e lundrimit u përsos. Anija me vela, me fund të mprehtë (me kil), me kurvertë të lartë dhe të lëvizshme ishte e aftë për t’iu përballur me sukses valëve të larta detare. U përsosën edhe instrumentet e navigacionit (busulla, skafioni dhe kaudranta), të cilat orientoheshin dhe e caktonin pozitën e anijes në horizont. Shpejt zhvillohet tregtia dhe rritet rëndësia ekonomike e politike e qyteteve. Paratë bëhen si mjet i pagesës.
Evropa nuk ka disponuar sa duhet metale të çmueshme (ar dhe argjend), që janë përdorur si mjete të pagesës. Ngase evropianët më tepër kanë blerë sesa kanë shitur mallra të ndryshme, solli deri te zvogëlimi i rezervave të arit në Evropë. Evropianët nuk kanë mundur të importojnë mallra drejtpërdrejt prej prodhuesve aziatikë, por nëpërmjet të ndërmjetësuesve arabë, persianë dhe grekë. Kjo dukuri shkaktoi rritjen e çmimeve të mallrave që vinin prej Indisë, Arkipelagut të Malajës dhe Kinës. Prandaj, evropianët ishin të detyruar të kërkojnë rrugë detare për në Lindje, me motiv që të lirohen nga ndërmjetësuesit. Përveç kësaj, prania e Turqisë në Lindje të Afërt dhe luftërat e shpeshta, kanë paraqitur pengesën kryesore për mbajtjen e tregtisë me anë të rrugëve tokësore, që kalonin nëpër Lindje të Afërt. Të gjitha këto kontribuan që të intensifikohen hulumtimet për zbulimin e rrugës detare për në Indi dhe vendet e Lindjes së Largme.
Në këtë kohë nëpërmjet arabëve, evropianët u njoftuan me kuptimet e harruara mbi formën sferike të Tokes, ku në pjesën perëndimore të Oqeanit Atlantik gjenden ujdhesat që i takojnë Azisë. Prandaj, rruga për vendet e arit, argjendit, gurëve të çmueshëm, mendafshit dhe erëza është kërkuar kah perëndimi, përmes Oqeanit Atlantik. Në anën tjetër, anijet më të përsosura të pajisura me busulla, kanë mundur të lundrojnë më lirisht në oqeanet e gjera.
Që prej kohës së Aristotelit (shekulli IV p.e.s.), Eratostenit (shekulli III deri II p.e.s.) e më vonë të Marin Tiritit (Feniki) dhe Ptolemeut (shekulli I deri II), ka mbisunduar mendimi se largësia ndërmjet buzëdetit të Evropës dhe të Azisë Lindore nuk është e madhe, madje edhe më e shkurtër sa që shpie nëpërmjet Aleksandrisë deri në Indi.
Ai gabim e ka sjellë Kolombon deri në bregdetin e Amerikës, ose siç ka cekur gjeografi francez i shekullit XVIII Zhan Batista Anvil, ka qenë gabimi më i madh i Kolombos, që e ka sjellë deri në zbulimin më të madh.
Kristofor Kolombo
Kristofor Kolombo, u lind më 1451 në Gjenovë (Itali). Në moshën e re ka punuar në punëtorinë e endjes, pronar i së cilës ishte babai i tij. Si fëmijë ëndërronte mbi lundrimet në dete të largëta. Më 1479 erdhi në Lisbonë dhe u punësua në shërbimin detar portugez. Pati fatin të martohet me të bijën e një detari portugez, me prejardhje italiane, prej të cilit kishin mbetur shumë harta detare dhe shënime të rëndësishme për detari. Për ta mbajtur familjen e vet dhe për ti ndihmuar prindërit në Gjenovë, përpilonte harta gjeografike, të cilat, asokohe, kërkoheshin shumë. Duke ushtruar profesionin e detarit u dallua më aftësi të jashtëzakonshme. Vazhdimisht mendonte të organizonte një ekspeditë detare, ku përmes Oqeanit Atlantik do të arrinte në Indi. Më 1484 Kolombo ia parashtroi planin e tij të lundrimit në detaje mbretit të Portogalisë, Jovanit II dhe kërkoi nga ai mjete për organizimin e ekspeditës detare. Këshilli Shkencor Mbretëror këtë plan e shpalli si të pa kuptimtë dhe jo real, prandaj e hodhi poshtë.
Pas një viti, Kolomboja ka qenë i detyruar ta lëshojë Portogalinë i dëshpruar dhe të shkojë në Spanjë.
Në këtë kohë spanjollët dhe portugezët kanë qenë rival të vërtetë në pushtimin e viseve të panjohura dhe në zhvillimin e tregtisë detare. Spanjollët kanë qenë të interesuar për zbulimin e rrugës detare që kishte për të siguruar tregtinë me Indinë e pasur. Prandaj, Kolombos i lejohet të organizojë ekspeditën e madhe detare. E përpilojnë kontratën. Në kontratë precizohet që Kristofor Kolombo është avancuar në admiral detar e nën mbret i viseve të zbuluara, i cili do ta ketë të drejtën për të dhjetën pjesë nga gjithë sasia e arit, e argjendit, sasia e gurëve të çmueshëm, margaritarëve dhe nga prodhimet tjera që kishin për ti gjetur në vendet e zbuluara. Kontrata është nënshkruar më 17.04.1492, ndërsa për liman të nisjes së lundrimit është caktuar Palosi. Janë caktuar tri anije me vela (Santa Maria, Pinta dhe Ninja). Me më të madhen, Santa Maria (gjatësia 22,6 m, gjerësia 7,8 m dhe lartësia 4,1 m) ka udhëhequr Kolomboja. Më 03.08.1492 tri anije me 120 udhëtar të ndihmuar në mënyrë financiare nga mbretëresha spanjolle dhe nga detari i njohur nga Palosi, Martin Pinson, u nisën për lundrim prej limanit Palos. Drejtimi i lundrimit ishte perëndimi, ndërsa caku ishin vendet e pasura të erurinave të Azisë. Kështu filloi lundrimi më i rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Gjatë lundrimit, Kolomboja mbajti edhe ditarin (ditari i parë i shkruar në historinë e detarisë), në të cilën regjistronte çdo ditë rrugën e kaluar, drejtimin e lundrimit e gjëra të tjera që i ka konsideruar të rëndësishme. Kolomboja së pari lundroi në drejtimin jugperëndimor, kah ujdhesat e Kanarive, e pastaj ka marrë drejtimin perëndimor. Anijet e tij, të shtyera nga erërat e përshtatshme të pasateve, me shpejtësi lundruan kah perëndimi.
Por, më 16 shtator, ekspedita gjendej në “oqeanin e mbuluar me bar”, që e ngadalësuan mjaft lëvizjen e anijeve dhe tmerroi ekuipazhin. Ky ishte Deti Sargas që është në përbërjen e Oqeanit Atlantik, i njohur për nga sasia e madhe e algave. Me 12 tetor 1492 Kolomboja zbarkoi në një ujdhesë të vogël ranore, të cilën indigjenët (vendësit) e quanin Guanahana. Ajo i takon grupit të ujdhesave të Bahameve (Bahamas) dhe gjendet në juglindje të Floridës. Duke e shpallur si pronë të Perandorisë Spanjolle, Kolomboja këtë ujdhesë e pagëzoi San Selvador, që do të thotë “Shpetimtar i Shenjtë”. Sipas të gjitha gjasave, ajo është ujdhesa e tashme Votling. Pastaj Kolomboja zbuloi edhe disa ujdhesa të reja e ndër to edhe Kubën dhe Haitin. Kolomboja mendonte se ujdhesa e Kubës ishte Cipangoja (Japonia). Ujdhesën e Haitit e quajti Espaniola (Spanja e Vogël). Në këtë ujdhesë, Kolomboja ndërtoi fortifikatën Navidat (Kërshëndellat). Ai ka qenë vendbanimi i parë spanjoll në truallin amerikan. Duke menduar se ka arritur në Indi, Kolomboja banorët e ujdhesës i quajti indianë. Ky emër ka mbetur deri me tani për popullsinë autoktone të Botës se Re. Kolomboja edhe pse nuk hasi në sasi të mëdha të arit dhe të argjendit, për herë të parë pau misrin, pataten dhe duhanin. Më 4 janar të vitit 1493 niset të kthehet në Spanjë i bindur se e ka zbuluar Indinë, Japoninë dhe Kinën. Si dëshmi të zbulimeve të tij, solli në Spanjë sasi të vogla të arit, disa bimë interesante, disa shpezë të egra dhe disa banorë të këtyre ishujve. Më 15 mars të vitit 1493 arriti në Spanjë ku u prit si triumfues i vërtetë. Më qëllim të zgjerimit të zbulimeve të veta, Kolomboja organizoi ekspeditën e dytë në shtator të vitit 1493, e cila përbëhej prej 17 anijesh dhe 1500 udhëtar.
Në këtë ekspeditë morën pjesë edhe disa oborrtarë, fisnikë, priftërinj dhe murgj. Më anë të kësaj ekspedite u zbuluan Antilet e Vogla (Dezirat, Mari - Galant, Dominik etj.), ujdhesa Porto-Riko dhe Xhamajka. Kolomboja dërgoi disa sende të çmueshme në Spanjë, por këto sende kanë pasur një vlerë të vogël, në krahasim me shpenzimet që janë bërë rreth përgaditjes së ekspeditës. Prandaj, mbreti dhe mbretëresha e Spanjës e prishin marrëveshjen me Kolombon dhe Kolombos nuk i mbeti asgjë tjetër, pos të kthehet në Spanjë (1496). Më 1498 Kolomboja me mundime të mëdha organizoi ekspeditën e tretë për të gjetur vendin e vërtetë ku kishte ar, ardhend, gurë të çmueshëm dhe mëlmesa. Këtë herë ai prej Spanjës lundroi kah jugperëndimi dhe arriti në grykëderdhjen e lumit Orinoko (në pjesën veriore të Amerikës Jugore, përkatësisht në bregdetin e Venezuelës) dhe zbuloi ujdhesën Trinidad. Pastaj kthehet në ujdhesën Haiti (Espanjola) dhe në Spanjë. Më 1502 Kolomboja organizoi ekspeditën e katërt dhe të fundit. Këtë herë ai zbuloi brigjet prej Hondurasit deri në Panamë dhe disa ishuj pranë Panamasë.
Më 1506 Kristofor Kolombo vdiq në mjerim të thellë, i harruar plotësisht, me privilegje të humbura, me bindje se e ka zbuluar rrugën detare për në Indi, e duke mos e ditur se kishte zbuluar "Botën e Re" - Amerikën. Me udhëtimet e Kolombos janë zbuluar shumë ujdhesa të Arkipelagut të Bahameve, Antileve të Vogla dhe të Mëdha, ujdhesat Trinidad dhe pjesët e kontinentit të Amerikës së Mesme e Jugore.
Amerigo Vespuçi
Amerigo Vespuçi (1451-1512) ka qenë tregtar i pasur nga Firenca, por në shërbim të Spanjës. Besohet se në Amerikë udhëtoi katër herë. Ai supozon se Kolomboja nuk arriti në Indi, por zbuloi Botën e Re (Mundus Novus). Në veprën e vet me titull "Hyrje në Kozmografi", të botuar më 1507 në gjuhën latine, kozmografi gjerman Martin Valdzemiler propozon që për territorin që tani përfshin Brazilin, të quhet Terra Amerika (Toka e Amerigos). Me zgjerimin e mëtejshëm të horizontit të gjeografisë, termi Amerikë zgjerohet për tërë kontinentin, i cili shtrihej prej Alaskës dhe Labradorit në veri, deri në kepin Horn në jug.
Vasko de Gama
Vasko de Gama (1469-1524), atij iu besua organizimi i ekspeditës së parë detare portugeze për zbulimin e rrugës detare rreth Afrikës për në Indi. Ekspeditën që ai e udhëhiqte e përbënin tri anije me 160 detarë. Anijet filluan lundrimin prej Lisbonës, më 8 korrik të vitit 1497. Pasi lundruan pranë Ujdhesave të Gjelbra dhe Kepit të Shpresës së Mirë, vazhduan të lundrojnë në ujërat e Oqeanit Indian.
Në brigjet perëndimore të Indisë, përkatësisht në limanin Kalikut, atëherë qyteti më i madh dhe më i pasur i Indisë, Vasko de Gama me ekspeditën e vet hyri më 20 maj të vitit 1498. Mallin që e kishte sjellë, e këmbeu me gur të çmueshëm, me ar, me pëlhurë të mëndafshtë dhe me erurina. Vasko de Gama, lë Kalikutën dhe kthehet në Lisbonë, më 10 qershor të vitit 1599. Me këtë definitivisht u zbulua rruga detare për në Indi dhe bëhet e mundshme tregtia e drejtpërdrejtë, ndërmjet shteteve evropiane me vendet e Lindjes. Vasko de Gama arriti atë që synuan spanjollët dhe detari i tyre Kristofor Kolombo. Kthimi i Vasko de Gamës, prej Indisë në Portugali, errësoi mjaft famën e Kolombos. Atëherë për herë të parë është dëshmuar se Afrika nuk është e lidhur me Kontinentin Jugor, përkatësisht me Terra Australinë. Mbreti i Portugalisë Vasko de Gamën e emëroi “admiral i detit Indian” me një rrogë vjetore prej 300.000 realash. Vasko de Gama edhe dy herë udhëtoi në Indi.
Deri te hapja e Kanalit të Suezit, më 1869, tregtia kryesore e Evropës me vendet që shtrihen në bregdetin e Oqeanit Indian dhe me Kinën, bëhet nëpërmjet Oqeanit Atlantik, pranë Kepit të Shpresës së Mirë. Më këtë Deti Mesdhe ka humbur rëndësinë e vet të dikurshme. Gjithashtu bie rëndësia e Venedikut dhe Gjenovës, që deri atëherë gati tërë tregtinë me vendet e Lindjës e kanë pasur në duart e tyre. Rolin e tyre e marrin Lisbona me disa qytete të tjera të Portogalisë dhe të Spanjës, të cilat zhvillohen shpejtë, ndërsa Portogalia dhe Spanja në shekullin XVI bëhen shtete të fuqishme detare.
Ferdinand Magelani
Ferdinand Magelani (1470-1521), pikëpamjet e veta ia paraqiti mbretit të Portugalisë, Manuelit, por ai nuk tregoi kurrfarë interesimi për përgatitjen e ekspeditës së lundrimit rreth e përqark botës. Prandaj, Magelani ka qenë i detyruar të lëshoj Portugalinë dhe të shpërngulet në Spanjë. Të njëjtin plan (mendim) ia paraqiti edhe mbretit të Spanjës. Oborri mbretëror i Spanjës e pranoi planin e Magelanit. Ai me pesë anije dhe 265 anëtarë të ekuipazhit, më 20 shtator 1519 niset prej limanit San Lukar (në grykëderdhjen e lumit Guadalkivir) kah perëndimi në drejtim të Amerikës Jugore. Flota e Magelanit më së pari arriti në ujdhesa të Kanarive, e pastaj u drejtua kah jugperëndimi dhe arriti në buzëdetin e Brazilit. Në muajin janar, ekspedita hyri në gjirin e Rio de Zhaneiros dhe duke menduar se kanë arritur në grykëderdhjen e gjerë të ndonjë lumi, e kanë pagëzuar me emrin e përmendur - Rio de Zhaneiro, që do të thotë “Lumë i janarit”.
Anëtarët e ekuipazhit dimri i zuri pranë bregdetit të Patagonisë, prandaj u detyruan që atje të qëndrojnë prej 31 marsit deri më 18 tetor të vitit 1520. Këtu marinarët e Magelanit u takuan me popullsinë autoktone, të cilët i quajtën patagonë, që do të thotë “këmbëmëdhenj”, sepse këmbët i kanë pasur të mbështjella me lëkurë të kafshëve. Ekspedita, pas shumë peripetish, gjeti kalimin ndërmjet Amerikës Jugore dhe Tokës së Zjarrtë dhe kaloi në Oqeanin e Paqësorit.
Për nder të këtij detari të shquar, më vonë kjo ngushticë u quajt ngushtica e Magelanit. Anëtarët e ekspeditës e kanë pagëzuar edhe ujdhesën e Tokës së Zjarrtë. Duke lundruar pranë ujdhesës së përmendur, në të cilën popullsia autoktone gjatë natës kishte ndezur zjarre të mëdha. Magelani e pagëzoi “Toka e Zjarrtë” (Tierra Del Fuego).
Kur doli prej ngushticës, ekspedita vërejti hapësirën madhështore oqeanike, në të cilën lundruan pandërprerë 99 ditë. Gjatë tërë kohës së lundrimit, oqeani ka qenë i qetë, pa valë, prandaj anëtarët e ekspeditës e quajtën Oqeani i Qetë (Paqësor). Pas shumë përpjekjesh, ekspedita arriti deri tek Arkipelagu i Marianeve, pastaj deri të ujdhesat Filipine, ku Magelani me 27 prill të vitit 1521 ka vdekur në luftë me popullsinë autoktone. Pastaj ekspedita, nën udhëheqjen e Sebastin del Kanos, vazhdoi lundrimin në Oqeanin Indian, nëpërmjet Kepit të Shpresës së Mirë dhe prapë hyri në ujërat e Oqeanit Atlantik. Pas lundrimit të mundimshëm trevjeçar, vetëm me anijen “Viktoria”, me 18 anëtar të ekuipazhit të mbetur gjallë, me 6 shtator të vitit 1522 hyri në limanin San Lukar. Me këtë përfundoi lundrimi i parë rreth Tokës, me anë të cilit është dëshmuar se Toka e ka formën sferike dhe qëndron pezull në gjithësi.
Me këtë lundrim definitivisht bëhet e qartë se detet dhe oqeanet, përfshijnë një sipërfaqe shumë të madhe të Tokës dhe se oqeanet ndërmjet veti janë të lidhura dhe formojnë detin botëror të unisuar.
Të gjitha këto zbulime nga ana e spanjollëve dhe portugezëve kanë kontribuar në zhvillimin e shpejtuar të tregtisë, detarisë dhe të ekonomisë në përgjithësi, e bashkë me këtë, edhe në lidhjen e marrëdhënieve të reja shoqëroro - politike, përkatësisht në lindjen e kapitalizmit.
no
ReplyDeleteits too much to read :/
ReplyDelete