Në Greqinë antike, sikurse edhe te popujt e lashtë të Lindjes, në fillim kuptimet dhe mësimet mbi Tokën, natyrën e saj dhe mbi njeriun, kanë qenë primitive dhe mitologjike. Grekët nuk e kanë zgjeruar shumë horizontin e diturisë gjeografike mbi Tokën. Në historinë e hershme të tyre grekët kanë njohur shumë më pak vende se sa fenikasit.
Deri në shekullin V p.e.s., njohuritë greke mbi Tokën nuk mund të konsiderohen të plota në kuptimin gjeografik. Kuptimet e tyre mbi Tokën janë plot elemente mitologjike, sikurse janë udhëtimet e agronautëve, për “gëzofin e artë” dhe Odisenë. Agronautët, sipas legjendës, të magjepsur në muzikën dhe këngën e Orfeut, kanë lundruar përmes Detit të Zi deri në Kolhide, në brigjet lindore të tij, nën Kaukaz.
Homeri
Homeri - besohet se u lind në Izmir. Ai në epopetë e tij të njohura “Iliada” dhe “Odiseu” nga shekulli VII p.e.s., i ka përshkruar ngjarjet e shekullit XII p.e.s. Sipas Odiseut, grekët kanë menduar se Toka ka formën e mburojës dhe se nga të gjitha anët është e rrethuar me një lumë, “Okeanusin” që rrjedhë ngadalë. Në qendrën e saj është Jelada me Olimpin, ku kuvendojnë perënditë. Odiseu kryesisht i është kushtuar lundrimit mitologjik dhjetëvjeçar dhe bredhja në një det, deri atëherë të panjohur.
Talesi i Miletit
Talesi i Miletit (624-547 p.e.s.) është themelues i shkollës së lashtë materialiste greke. Ai ka qenë filozof, astronom, fizikan dhe matematikan i përmendur i Greqisë së atëhershme. Talesi thotë, se çdo gjë që ekziston në natyrë e ka zanafillën prej një elementi, paraqenja e të cilit është uji. Sipas tij, Toka ka formën e diskut dhe si ujdhesë, noton mbi uji, përkatësisht mbi Oqanin Botëror. Ekzagjerimi i rëndësisë së ujit tregon se bazat e studimit të Talesit rrjedhin prej Egjiptit, vendit ku është uji d.m.th. lumi Nil.
Anaksimandri
Anaksimandri (610-546 p.e.s.) ka qenë nxënës dhe pasardhës i Talesit. Sipas Anaksimandrit, Toka ka formen e cilindreit të cekët, ku lartësia është tri herë më e vogël se baza. Ai është i pari që e ka “ndarë” Tokën prej themeleve të forta dhe e ka lënë pezull, që të rrijë lirishtë në hapësirën e gjithësisë, çka paraqet një hap gjigant në zgjidhjen e drejtë të pozitës së Tokës. Atij i takon edhe merita që ka bërë për përshkrimin e plotë të Tokës dhe modelin e sferës qiellore. Anaksimandri është themelues i parë i hartës botërore, deri atëherë të njohur.
Herakliti
Herakliti (536-475 p.e.s.) ai ka paraqitur mendimin se gjithësia nuk është krijuar kurrë prej kurrkujt. A jo gjithmonë ka ekzistuar, ekziston dhe ka për të ekzistuar. Në të nuk ka kurrgjë ta pandryshueshme- gjithçka lëviz, ndërrohet dhe zhvillohet. Nga vepra e tij “Mbi natyrën” janë ruajtur 130 fragmente autentike. Herakliti në doktrinën e vet paraqiti mendimin e rëndësishëm dialektik se gjithçka lëviz dhe zhvillohet në bazë të luftës së kundërshtimit. Lufta e përgjithshme e kundërshtimit nuk shpie në kaos, por procesi i gjithëmbarshëm zhvillohet sipas ligjit të natyrës.
Herodoti
Herodoti u lind në Halikarnas (Azi të Vogël). Rrjedhë nga një familje e pasur dhe bujare. Konsiderohet si babai i historisë. Shkroi veprën voluminoze “Historia”, por mjerisht nuk mundi ta përfundojë, pasi nga puna e tij shkencore e ndau vdekja. Në “Historinë” e Herodotit, vend të rëndësishëm zë lufta greko - persiane. Herodoti shënimet kryesisht i mirrte në bazë të autopsisë (duke vërejtur drejtpërsëdrejti), ndërsa ato i mbarështronte qart. Më së pari jipte përshkrimin e vendit, pastaj doket e zakonet, karakteristikat etnike të popullsisë, gojëdhënat dhe në fund i përshkruante ngjarjet historike. Rëndësia e punimeve gjeografike të Herodotit, qëndron në atë se ai vet i ka vizituar shumë vende dhe në vendin e ngjarjes i ka mbledhur shënimet. Herodoti i vizitoi këto vende : Egjiptin, Libinë, Fenikinë, Sirinë, Palestinën, Arabinë, Asirinë, Babiloninë, Persinë, Pjesër e përparme të Indisë, Krahinat rreth Liqenit Kaspik, Detit të Zi, Skitinë (pjesën jugore të Rusisë), Italinë dhe Thrakinë. Për këto vende ka dhënë shënime besnike. Herodoti ka dyshuar që Toka ka formën e mburojës dhe i ka theksuar dimensionet e mëdha, duke mos i njohur kufijtë e saj.
Për Herodotin, Toka është pllakë e rrumbullakët mbi të cilën gjendet kupa qiellore sferoide dhe nëpër këtë kupë lëvizin Dielli dhe yjet.
Shkencëtarëve dhe filozofëve të lashtë grekë, veçanërisht u ka interesuar çështja e formës së Tokës, madhësia dhe pozita e saj në hapësirën e gjithësisë. Ndërmjet tyre rëndësinë më të madhe për zhvillimin e gjeografisë e kanë : Talesi i Miletit, Anaksimandri, Demokriti, Aristoteli, Aristarku, Dikearku, Eratosteni dhe Hiparku.
Demokriti
Demokriti (460-370 p.e.s.) është filozofi më i madh materialist antik grek. Ka udhëtuar nëpër Egjipt, Babiloni, Iran e në vende të tjera. Është autor i shumë veprave, jo vetëm filozofike, por edhe të shkencave të tjera. Ky mendonte se çdo gjë që ekziston përbëhet prej thërrmijave të imta - atomeve. Ai ka shqyrtuar çështjen mbi formën e Tokës, shkaqet e tërmeteve, erërave, vërshimeve të Nilit etj. Sipas Demokritit, forma e Tokës vazhdimisht ndërrohet.
Aristoteli
Aristoteli (384-322 p.e.s.) u lind në një familje të pasur në Strogir (Thraki). Hyri në akademinë e Platonit dhe aty qëndroi 20 vite. Nga fundi i jetës e gjykuan si Ateist. Prandaj, u detyrua të ikë në Halkidi (në ujdhesën Eubej), ku edhe vdiq. Shumë vjet jetoj në oborrin mbretëror duke e mësuar dhe edukuar Aleksandrin e Maqedonisë (Lekën e Madh).
Ka qenë filozof natyralist më i madhi i Greqisë antike. Shkroi vepra të shumta nga lëmi të ndryshme. Është themelues i logjikës si shkencë, ndërsa është marrë edhe me disiplina tjera shkencore, siç janë : meteorologjia, gjeografia, gjeologjia, zoologjia, embrionologjia, gjeodezia, fizika etj. Në veprën "Meteorologjia" (në 4 libra) shtroi shumë probleme në gjeografinë e përgjithshme, ndërsa në veprën "Politika" (ne 8 libra) tentoi që të sqarojë ndikimin e klimës në marrëdhëniet shoqërore. Edhe në shumë punime të tjera, ai ka shfaqur mendimin mbi botën, duke theksuar se Toka është e palëvizshme dhe gjendet në qendër të gjithësisë. Pra, ka qenë ithtar i Sistemit Gjeocentrik. Ai është i pari që përdori termin gjeodezi (greqisht : ge - tokë dhe daio - ndarje). Aristoteli zhvillon kuptimin mbi formën sferike të Tokës. Për vërtetimin e gjykimit të vetë, merr me plot të drejtë si dëshmi, formën e hijes së Tokës me rastin e zënies së pjesërishme të Hënës. Ai ishte i pari që e ka ndarë Tokën në pesë breza të nxehtësisë: një të vapës, dy të mesme dhe dy të ftohta, pastaj ka konstatuar se më i përshtatshëm për jetesë është brezi i mesëm i hemisferës veriore, ndërsa brezi i vapës është i pabanuar. Aristoteli mendonte se në Tokë më tepër ekzistojnë sipërfaqe të tokës se sa të ujit dhe se Oqeani Atlantik, në drejtimin lindje - perëndim, është shumë i ngushtë. Ky oqean e ndan Tokën në pjesën lindore dhe perëndimore dhe ato janë të afërta me njëra - tjetrën. Ky mendim i gabueshëm i Aristotelit, e me vonë edhe i Eratostenit, solli deri të zbulimi i botës së re - Amerikës.
Dikearku
Dikearku (347-287 p.e.s.) përpiloi hartën e parë të asaj kohe, me fillet e rrjetit hartografik. Ai së pari ka tërhequr dy vija matematike : një horizontale dhe një vertikale, të cilat i ka ndarë në stade të ngjashme me shkallët e sotme, me anë të të cilave ka mundësuar saktësisht përpilimin e hartave dhe matjen e distancave në to. Vija horizontale, e cila u përgjigjet paraleleve të tashme, ka filluar prej ujdhesave të Azoreve nëpërmjet të Gjibraltarit, në jug të Sicilisë dhe Peloponezit deri të malet Hindukushe. Vija vertikale ka filluar prej Sijenës (Asuani i sotëm), nëpërmjet të Aleksandrisë, Bosforit e deri të grykëderdhja e Dnieprit. Harta botërore e Dikearkut ka qenë harta ma e mirë e kohë së vjetër deri në paraqitjen e hartave të Ptolemeut në shekullin II të erës së re. Dikearku shkroi veprat “Përshkrimi i botës”, “Udhëtimi rreth botës” dhe “Jeta e Heladës”. Në veprën “Udhëtimi rreth botës” ai ka dhënë përshkrimin e ekumenës së njohur deri atëherë. Vepra “Jeta e Heladës” në tri libra, ka qenë historia e parë e kulturës greke prej kohërave më të vjetra deri te Aleksandri i Madh (Leka i Madh). Me ndihmën e teodolitit primitive bëri matje e lartësive të maleve të Greqisë.
Aristarku
Aristarku (320 - 250 p.e.s.), nga ujdhesa Samos, i pari ka paraqitur mendimin gjenial mbi teorinë Heliocentrik, përkatësisht mbi rrotullimin e Tokës rreth Diellit me pozitë të pjerrtë të eliptikes dhe se në të njëjtën kohë sillet edhe rreth boshtit të vet, prandaj bëhet ndërrimi i ditës dhe i natës.
Eratosteni
Eratosteni (276-195 p.e.s.), filozofi, matematikani, astronomi dhe gjeografi i Aleksandrisë. U lind në Kirenë. Atë me arsye e konsiderojmë themelues të gjeografisë matematike. Si udhëheqës i bibliotekës së përmendur të Aleksandrisë, pati mundësi të njihej me veprat dhe dorëshkrimet e rëndësishme shkencore. Ai me anë të metodës matematike, dëshmoi se Toka ka formën sferike dhe ka caktuar gati saktësisht perimetrin e Tokës. Gjatësinë e rrethit meridional e ka caktuar me 39.816 km, ndaj gjatësisë së njëmendtë, e cila është 40.009 km. Pra, dallimi është i vogël, vetëm 158 km. Merita tjetër e Eratostenit është në lidhje me botimin e veprës së parë të gjeografisë, në të cilën ka dhënë përshkrimin e Tokës deri atëherë të njohur në detaje. Gjeografia e tij përbëhet prej tri librave. Në librin e parë ka dhënë pasqyrën kritike të zhvillimit të gjeografisë. Në librin e dytë bënë fjalë mbi formën dhe madhësinë e Tokës, mbi detet botërore, brezat klimatik dhe kufinjtë e botës së banuar - ekumenës. Në librin e tretë, ai ekumenën, deri atëherë të njohur, e ndanë në pjesë dhe jep përshkrimin e tyre në detaje, veçanërisht jep përshkrimin për natyrën dhe popullsinë e tyre. Prandaj, Eratostenin shpesh e quajnë “baba të gjeografisë“. Ai mendonte se duke lundruar në perëndim, nëpërmjet Oqeanit Atlantik, arrihet në Indi. Njohja e mirë e botës (sa ka qenë deri atëherë e njohur) prej burimit të Nilit deri në Tula (Evropën Veriore) i mundësoi që ta përpilojë hartën e atëhershme të ekumenës. Kjo hartë ka shënuar një përparim të ri në hartografi.
Kratesi
Kratesi (200-244 p.e.s.) prej Molosit, i pari e ka bërë globin, në të cilin ka paraqitur tërë botën. Ai ka menduar që ekzistojnë dy oqeane të mëdha, njëri që shtrihet në drejtim të ekuatorit, ndërsa tjetri në drejtim të meridianit. Ashtu oqeanet e kryqëzuara, në formë të dy shiritave, i ndajnë tokat botërore në katër pjesë, përkatësisht në katër kontinente.
Pamja e botës, përkatësisht shpërndarja e Tokës dhe detit në këtë glob nuk është e saktë, gjë që është e kuptueshme, sepse grekët i kanë njohur kryesisht viset rreth e përqark Detit Mesdhe. Në glob bota është paraqitur me katër pjesë : një të njohur dhe tri të panjohura.
Hiparku
Hiparku (190-125 p.e.s.) ka qenë astronom, matematikan, dhe hartograf i shquar grek. Ai më së pari e futi nocionin e gjerësisë dhe gjatësisë gjeografike. Rrethin e ka ndarë në 360 shkallë, nërsa shkallën në 60’, minutën në 60". Hiparku në hartë vuri rrjetin e shkallëve dhe ka dhënë principet e përbërjes dhe hartimit të tyre.
Në përhapjen e diturive gjeografike mbi Tokën i kanë kontribuar edhe luftërat, të cilat i ka bërë Greqia në atë kohë, veçanërisht në kohën e Aleksandërit të Madh.
No comments:
Post a Comment