Çështja mbi krijimin e sistemit diellor dhe të Tokës është mjaft e vjetër. Edhe njeriu më i vjetër ka qenë i interesuar të njohë se si është formuar Toka dhe trupat tjerë qiellorë. Pasi nuk i ka njohur as ligjet themelore të natyrës, as formën dhe madhësinë e Tokës e as pozitën e saj në gjithësi, nënkuptohet që nuk ka mundur t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje. Prandaj, formimi i Tokës dhe i sistemit diellor, si dhe shumë fenomene të tjera të natyrës, janë sqaruar me legjenda të ndryshme dhe me motive religjioze. Të shumë popuj të vjetër kanë ekzistuar legjenda të ndryshme mbi formimin e Tokës. Mirëpo, në të gjitha këto legjenda ka mbizotëruar një mendim themelor: Tokën e jetën në të, si edhe trupa të tjerë qiellor bashkë më gjithësinë e ka krijuar fuqia mbinatyrore. Me mbledhjen graduale të njohurive mbi gjithësinë, yjet, sistemin diellor, Diellin, Tokën si edhe mbi dukuritë e përgjithshme natyrore, njerëzit kanë formuar themelet për hipoteza shkencore mbi formimin e Tokës dhe të trupave të tjerë qiellorë.
Deri më tani janë paraqitur mbi 100 hipoteza mbi formimin e sistemit diellor dhe të Tokës. Mirëpo, me gjithë numrin e madh të hipotezave, të cilat ndërmjet vete dallohen esencialisht, sukseset e mëdha të shkencës dhe të teknikës bashkëkohore në përvetësimin e gjithësisë, mund të thuhet se çështja e formimit të Tokës nuk është sqaruar plotësisht.
Hipoteza është supozim shkencor, që duhet vërtetuar. Nëse provat vërtetojnë rregullsinë e hipotezës, ajo bëhet teori shkencore.
Në këtë rast do të njihemi me disa hipoteza më të rëndësishme mbi formimin e Tokës dhe të sistemit diellor. Shkenca, e cila merret me sqarimin e formimit të Tokës dhe të sistemit diellor quhet - Kosmogonia.
Hipoteza e Kant - Laplasit
Hipotezën e parë shkencore mbi formimin e Tokës dhe të sistemit diellor e paraqiti filozofi gjerman Emanuel Kant (1724-1804), në vitin 1754. Duke mos e ditur për hipotezën e Kantit, më 1796, mendim të ngjashëm parashtroi edhe mekaniku, matematikani dhe astronomi francez, Pjer Simon Laplasi (1749-1827). Më vonë mendimet e tyre u bashkuan në një dhe njihen në shkencë me emrin hipoteza e Kant-Laplasit ose hipoteza nebulare. Sipas kësaj hipoteze sistemi diellor është krijuar nga mjegullina e madhe e zjarrtë dhe shumë e rrallë, e cila është rrotulluar ngadalë rreth boshtit të vet, në drejtim të kundërt të akrepave të orës, nëpër hapësirën e ftohtë të gjithësisë dhe gradualisht është ftohur, dendësuar dhe zvogëluar. Duke u ftohur dhe duke e zvogëluar vëllimin e vet, mjegullina sferike, sipas ligjeve të mekanikës, vazhdimisht është rrotulluar më shpejt. Nën ndikimin e forcës centrifugale, mjegullina është shtypur në pole dhe është zgjeruar tepër në ekuator, ku forca centrifugale është më e madhe. Kohë pas kohe forca centrifugale ka qenë më e madhe se ajo centripentale. Prandaj, nga pjesa ekuatoriale e mjegullinës së zjarrtë janë ndarë disa mjegullina të zjarrtë më të vogla, në formë të unazave koncentrike. Këto unaza koncentrike kanë vazhduar edhe me tutje të rrotullohen rreth masës qendrore të mjegullinës - Diellit, i cili ka ndikuar në të me fuqinë e tij tërheqëse - me gravitetin. Pjesët unazore të mjegullinës janë ftohur, dendësuar dhe prej tyre me kohë janë krijuar planetët, ndër të cilët edhe Toka. Satelitët e planetëve, ndër këta edhe sateliti i Tokës - Hëna, janë krijuar prej unazave, të cilat janë ndarë prej masave të planetëve, para ngurtësimit të sipërfaqes së kores së tyre.
Hipoteza e Kant-Laplasit ka disa të meta :
- 1. Sipas hipotezës së Kant - Laplasit sistemi diellor është krijuar nga mjegullina e zjarrtë, por hulumtimet e mëvonshme dëshmojnë se mjegullinat e gjithësisë janë vetëm në gjendje të ftohtë.
- 2. Urani është i vetmi planet, i cili rrotullohet rreth boshtit të vet prej lindjes në perëndim. Pra, bën rrotullim të kundërt në krahasim me planetët e tjerë të sistemit diellor.
- 3. Rrotullimi i kundërt i 4 satelitëve të Jupiterit, 1 të Saturnit, 4 të Uranit dhe 1 të Neptunit në krahasim me planetët e tyre.
- 4. Rrotullimi më i shpejtë i disa satelitëve, se rrotullimi i planetëve të tyre.
Krijimi i planetëve sipas hipotezës së Kant - Laplasit
Kjo hipotezë kah fundi i shekullit XVIII dhe gjatë tërë shekullit XIX ka qenë mjaft e popullarizuar dhe është konsideruar si e pazëvendësueshme dhe gjeniale, ndërsa tani për shkak të metave të saj, që u përmendën më lartë, në literaturën shkencore është lënë krejtësisht pas dore. Kjo hipotezë përmendët si tentativë e parë shkencore për shpjegimin e krijimit të sistemit diellor dhe të Tokës. Pra, tani rëndësia e saj është kryesisht historike.
Hipoteza e Xhems Xhinsit
Një prej astronomëve të njohur anglez të shekullit XX ka qenë Xhems Xhinsi. Ai më 1919 supozon se para disa miliarda vitesh pranë Diellit ka kaluar një yll përmasa gjigante. Për shkak të fuqisë së madhe tërheqëse të tij, në Diell janë krijuar dy protuberanca, prej të cilave njëra ka qenë e drejtuar kah ylli, ndërsa tjetra në anën e kundërt. Nënkuptohet se protuberanca e formuar në anën e Diellit të kthyer kah ylli ka qenë më e madhe. Pjesa e shkëputur prej masës së Diellit, nuk ka mundur të bashkohet me yllin, i cili është larguar, por nën ndikimin e fuqisë tërheqëse të Diellit ka vazhduar të rrotullohet rreth tij. Duke u ftohur, duke u dendësuar dhe duke u bashkuar, bulëzat e zjarrta të pjesës së shkëputur nga ajo qendrore, janë formuar planetët më të mëdhenj, ndërsa nga pjesët periferike planetët më të vegjël, e ndër ta edhe Toka. “Protuberancat” e shkëputura prej Diellit kanë dhënë material edhe për formimin e satelitëve, asteroideve, meteorëve dhe kometave. Për shkak të forcës tërheqëse të Diellit dhe rotacionit të Tokës prej saj është shkëputur sateliti i saj - Hëna.
Xhems Xhinsi, siq përmendëm më lart, ka dhënë hipotezën e vet më 1919. Në fillim ka pasur shumë ithtarë, ndërsa sot pak janë ata që i besojnë hipotezës së tij. E meta më e madhe e kësaj hipoteze qëndron në faktin se krijimin e sistemit diellor e shpjegon si gjë krejtësisht të rastit, siç është rasti me kalimin e dy yjeve afër njëri-tjetrit. Hipoteza e Xhinsit u luhat edhe më shumë kur astronomi amerikan, Herri Noris Rasel i zbulon gabimet në llogaritjet matematike që i kishte bëtë Xhinsi, me rastin e paraqitjes së hipotezës së vet.
Hipoteza e Shmitit
Në kohën e fundit gjithnjë e më shpesh janë të pranishmë hipotezat, të cilat flasin se Toka dhe planetët tjerë janë krijuar nga dendësimi i grimcave të ftohta të pluhurit kozmik. Një hipotezë të këtillë më të njohur e ka paraqitur, në vitin 1946, shkencëtari dhe akademiku sovjetik, Oto Juleviq Shmit (1891-1956). Sipas hipotezës së tij, Dielli duke lëvizur rreth boshtit të Galaktikës, para rreth 6 miliardë vitësh, ka kaluar nëpër mjegullinën e pluhurit kozmik dhe ka tërhequr me vete një pjesë të kësaj mjegulline. Pastaj, kjo pjesë e mjegullinës është rrotulluar rreth Diellit. Në të janë ndeshur vazhdimisht thërmijat e pluhurit kozmik, duke u dendësuar në masë më të madhe edhe në fund janë formuar planetët. Edhe vetë planetët i kanë tërhequr pjesët e vogla të mbeturinave të mjegullinë së pluhurit kozmik dhe prej atyre pjesëve janë krijuar satelitët e tyre. Dielli me afërsinë e vet, ka tërhequr tërë pluhurin që ka qenë në afërsi të Merkurit dhe të Afërditës, prandaj Merkuri dhe Afërdita nuk kanë satelitë të tyre. Planetët e mëdhenj, që gjenden më largë nga Dielli, kanë tërhequr sasi më të mëdha të pluhurit kozmik, prandaj kanë një numër më të madh të satelitëve.
Në dallim nga hipoteza e Kant - Laplasit ose hipoteza e Xhinsit, sipas hipotezës së Shmitit, Toka, planetët e tjerë dhe satelitët janë krijuar si trupa të ftohtë. Pjesa e brendshme e ftohtë dhe e rrallë ngjeshet, ndërsa nga fërkimi dhe presioni fillon ngadalë të nxehet. Kur temperature arrin në një shkallë të lartë, fillojnë reaksionet termobërthamore të shndërrimit të hidrogjenit në helium. Në këtë mënyrë në brendësi të planetëve, pra edhe të Tokës, është sajuar nxehtësia. Me rritjen e temperaturës masa e Tokës gradualisht shndërrohet në masë plastike. Për këtë shkak ka ardhur deri te depërtimi gradual i materjeve më të lehta kah sipërfaqja, ndërsa ato më të rënda, kanë zbritur në qendrat e tyre. Ky proces ende vazhdon. Prandaj, disa pjesë të sipërfaqes së Tokës gradualisht vijnë duke u lartësuar, ndërsa të tjerat më të rënda, ulen dhe fundosen. Kohë pas kohe këto procese janë të përcjella me tërmete dhe erupcione vullkanike.
Duhet të përmendim edhe hipotezat e Çembërlenit, të Miltonit, të Vajsekerit, të Arenijusit, të Kuperit, të Xhefrejsit, të Kameronit dhe atë të Hojlit.
No comments:
Post a Comment