Wednesday, March 5, 2014

Gjeografia në kohën e Feudalizmit të hershëm

Në periudhën prej shekullit VIII-XV, të njohur në histori me emrin feudalizëm, apo mesjetë, dituria jo vetëm që stangoi, por pati edhe rënie të diturive shkencore në përgjithësi, pra edhe në rënien e diturisë gjeografike dhe të gjeografisë si shkencë. Baza themelore materiale e feudalizmit është Toka. Mesjeta mund të ndahet në dy periudha : në periudhën e hershme dhe në atë të zhvilluar. Periudha e mesjetës së hershme karakterizohet me lulëzimin e religjionit të krishterë. Kisha e krishterë përveç rolit shpirtëror luajti edhe atë ekonomik.
Kishat kanë qenë pronare të pronave të mëdha bujqësore. Pasi bujqësia ishte dega më e rëndësishme ekonomike, atëherë kishat me manastiret qenë edhe faktorët më të rëndësishëm ekonomik. Kështu kisha e forcuar ka filluar të marrë rolin e pushtetit shtetëror. Në hulumtimin e rrugëve për zgjerimin e dogmave religjioze, e më tepër për nënshtrimin ekonomik të besimtarëve, paraqiten misionarët. Misionarët ishin udhëpërshkrues që merreshin jo vetëm me zgjerimin e krishterimit dhe vënien e lidhjeve ekonomike, por edhe me mbledhjen e shënimeve të ndryshme mbi natyrën, popullsinë, pasuritë natyrore dhe karakteristikat ekonomike të vendeve të ndryshme. Ato (shënime) i dërgonin në metropolin e tyre fetar, në Romë. Në atë kohë shkenca e gjeografisë klasike e kishte armik të fortë kishën e krishterë. Gjeografia mesjetare dituritë e saj mbi gjithësinë, Tokën dhe fenomenet natyrore i ka themeluar në dogmat nga shkrimi i shenjtë dhe nga Dhjata e Vjetër. Nën ndikimin e kishës së krishterë, në periudhën që ka zgjatur rreth 1000 vjet (prej shekullit IV deri në shekullin XIII) pason një dekadencë e përgjithshme e shkencës, pra edhe e shkencës së gjeografisë. Kështu mësimi mbi formën sferike të Tokës ka qenë harruar dhe refuzuar, sepse nuk është pajtuar me mësimin e religjionit të krishterë, mbi krijimin dhe formën e Tokës. Toka më shpesh është paraqitur si pllakë e rrumbullakët, në lindje pak e ngritur, sepse atje thuhej se gjendej parajsa. Në qendër të pllakës ka qenë Jerusalemi. Sa është zgjeruar horizonti gjeografik, pllakës i kanë shtuar aq vende dhe dete të reja, por pamja e përgjithshme e botës edhe më tej mbeti e njëjtë. Hartat e kësaj kohe kanë qenë të orientuara nga lindja, d.m.th. në to, lindja është lartë, perëndimi poshtë, jugu djathtas, ndërsa veriu majtas.
Librat gjeografike të mesjetës janë me plotë shpjegime fantastike dhe primitive të dukurive natyrore. Në to gjenden edhe përshkrimet e njerëzve me një sy, me një këmbë dhe pa duar. Pastaj flitej se ekzistonin ujërat që vlonin, malet magnetike që i tërhiqnin anijet dhe bishat e tmerrshme që i gëlltitnin njerëzit, etj.
Në mesjetë gjeografia është mësuar nëpër manastire. Prandaj, kjo periudhë e “zhvillimit” të saj është e njohur me emrin “gjeografia e manastireve”.

Zhvillimi i gjeografisë tek arabët

Në Lindjen e Afërt, në qendër të kulturës së dikurshme asirobabilonase, paraqiten arabët, që në shekullin e VII zgjeruan sundimin e tyre dhe përhapën religjionin mysliman në një pjesë të Azisë, në vitin 711 arabët e kaluan ngushticën e Gjibraltarin dhe e nënshtruan Siujdhesën Pireneje. Në atë kohë ekzistonin dy qendra të rëndësishme të kulturës : Bagdati në lindje dhe Kordoba në perëndim (në Spanjë). Në këto qendra zhvilloheshin veçanërisht matematika, astronomia dhe gjeografia. Gjatë shekujve IX dhe X arabët bëhen sundues absolutë të Mesdheut dhe të Lindjes së Afërt. Duke pushtuar vendet kulturore të kohës së vjetër, ata u njoftuan me veprat e shkencëtarëve grekë. Shteti i tyre shtrihej prej Oqeanit Atlantik në perëndim deri në Indi në lindje dhe prej Kaukazit në veri deri në Afrikën Tropike në jug.
Arabët e kanë njohur mirë shtetin e tyre, çdo emir (udhëheqës) i tyre ka qenë i obliguar të këtë përshkrimin dhe hartën e krahinës në të cilën udhëhiqte. Si detarë të njohur e të paisur me busulla, ata kanë udhëtuar deri në buzëdetin e Indisë, Indonezisë, Kinës, Mozambikut dhe të Madagaskarit. Merita më e madhe e arabëve, në gjeografinë shkencore është në atë se, duke përkthyer dhe duke studiuar veprat klasike të gjeografëve antikë, sidomos të Ptolemeut, i kanë shpëtuar nga harresa njohuritë gjeografike greko – romake.
Arabët i kanë njohur shumë herët vetitë e erërave monsunike dhe i kanë shfrytëzuar në mënyrë praktike në detari. Më saktësi e kanë sqaruar regjimin e reshjeve dhe kanë ditur se erërat që vijnë nga deti sjellin të reshura. Arabët kanë treguar interes të posaçëm për astronominë. Pasi kanë besuar në lidhjen (varësinë) ndërmjet pozitës së yjeve dhe jetës së njerëzve, posaçërisht e kanë kultivuar astrologjinë. Për vështrimin e yjeve dhe planetëve janë ndërtuar shumë observatoriume astronomike. Duke shfrytëzuar busullën, katrorin, sekstanin dhe instrumentet e tjera, arabët kanë arritur rezultate të rëndësishme astronomike. Ata kanë pasur katalogun e yjeve dhe globin e parë qiellor prej argjendit dhe remit. Me saktësi kanë vërtetuar pjerrësinë e eliptikes prej 23º dhe 35’ ndaj pjerrësisë së njëmendtë që është 23º dhe 27’. Kanë konsideruar se Toka ka formën sferike dhe se perimetri i saj është 44.700 km. Hartat e arabëve kanë qenë mjaft të thjeshta. Në to nuk ka ekzistuar rrjeti i paraleleve dhe meridianëve. Kontinentet, siujdhesat, ujdhesat, lumenjtë, liqenet etj, janë paraqitur me figura të ndryshme gjeometrike si p.sh. në formë të trekëndëshave, katërkëndësheve, rrathëve etj.
Hartat e arabëve kanë qenë të orientuara kah jugu, përkatësisht në to ana jugore ka qenë e kthyer lart, ndërsa ana veriore, poshtë.
Gjeografët dhe udhëpërshkruesit më të përmendur arabë kanë qenë Sylejmani, Jakubi, Idrizi dhe Ibn Batuta.

Jakubi

Ka qenë një prej udhëpërshkruesve më të njohur arabë të shekullit IX. Atë e kanë quajtur baba i gjeografisë arabe. Ka udhëtuar shumë dhe personalisht ka mbledhur shënime në vend të ngjarjes. Përveç kësaj, ka pasur shumë kontakte me udhëtarë të tjerë dhe kështu i ka plotësuar njohuritë gjeografike të veta si për vendet e lindjes ashtu edhe të perëndimit. E kanë konsideruar si gjeograf të gjithanshëm Ka shkruar veprën “Libri mbi vendet“. Në këtë libër paraqiti shumë shënime mbi vendbanimet e viseve të ndryshme.

Masudi

Ka jetuar në shekullin X dhe ka qenë nga Bagdati. Emri i vërtetë i Masudit ka qenë Abull Hanas Ali. Ky ka qenë historian i përmendur arab, por njëkohësisht ka lënë edhe shënime të vlefshme gjeografike. Është konsideruar si udhëtari më i madh i shekullit X. Udhëtoi nëpër Afrikën Veriore, në Palestinë, Spanjë, Greqi, Jermeni, Persi, Indi, Cejlon (Shri-Lankë) dhe në vende të tjera. Bashkëkohësit e tij, Masudin e krahasojnë me Diellin, i cili kalon mbi të gjitha vendet prej lindjes deri në perëndim.
Vepra me e njohur e tij historiko - gjeografike mban titullin "Livadhe të arta". Në këtë vepër ka dhënë shënime të vlefshme mbi viset e ndryshme nëpërmjet të cilave kaloi dhe mbi popujt më të cilët ka ardhur në kontakt. Duke përshkruar Tibetin, ai thekson se ky është vend i njerëzve të lumtur, të cilët pandërprerë qeshin. Ai është udhëpërshkruesi i parë botëror që përpos tjerash i përmend serbët (Serbju) dhe kroatët (Harvatin).

Sherif Al Idrizi

Sherif Al Idrizi (1099-1166) ka qenë njëri prej hartografëve dhe gjeografëve më të njohur në fillim të periudhës së mesjetës së vonshme. Emri i tij i plotë është Abdullah Muhamed Ibni. U lind në Seut (Spanjë) dhe besohet se është me prejardhje berbere. Studioi në Universitetin e përmendur të Kordobës. Ka qenë i famshëm jo vetëm në lëminë e hartografisë e të gjeografisë, por edhe në atë të filozofisë, të astronomisë, të matematikës, të medicinës dhe të poezisë.
Me ftesë të mbretit të normanëve, Roxher II, Sherif Al Idrizi vizitoi Sicilinë. Mbreti Roxher II e luti Sherif Al Idrizin, që në një vepër gjeografike të përshkruaj vendin e tij dhe të gjitha vendet e botës, të cilat atëherë kanë qenë të njohura. Si hyrje për këtë vepër Al Idrizi, para së gjithash, bëri një glob të madh prej argjendi, me peshë rreth 45 kg.
Në këtë glob me saktësi dhe në detaje paraqiti të gjitha vendet deri atëherë të njohura. Me qëllim që të japë përshkrimin e këtyre vendeve që gjendeshin në glob, Al Idrizi shkroi veprën e tij të njohur “Nuz-hetull mushtak fi ihtirakil afak”. Kjo vepër e tij njihet edhe me emrin “Gjeografia e Idrizit” ose “Libri i Roxherit”.
Në hartimin e kësaj vepre Al Idrizi shfrytëzoi tërë diturinë e deriatëhershme gjeografike arabe. Kështu ai mblodhi mjaft shënime edhe nga tregtarët dhe misionarët e ndryshëm. Në këtë kohë “Gjeografia e Idrizit” paraqet veprën epokale në lëmin e shkencave gjeografike. Është me rëndësi të përmendet se ky libër përmbledh edhe 69 skica dhe një numër të konsiderueshëm hartash gjeografike me ngjyra. Al Idrizi më tepër shquhet si hartograf. Përpiloi dy harta të botës : njërën në formë të drejtkëndëshit me 70 fletë, ndërsa tjetra në formë rrethore. Harta gjeografike e botës në formë drejtkëndëshit është ekzemplari më i mirë gjeografik i botës, të cilën deri më sot e kanë hartuar shkencëtarët islamë. Evropianët konsiderojnë se Al Idrizi ka arritur pikën më të lartë në hartografinë arabe. Prandaj, kjo hartë ka qenë e pranueshme jo vetëm nga arabët, por edhe prej të gjithë të tjerëve. Ajo u ka shërbyer për orientim të drejtë në udhëtime të largëta edhe detarëve evropianë gjatë disa shekujve.
Vlera e madhe shkencore e kësaj harte, qëndron në saktësinë e jashtëzakonshme të caktimit të gjerësisë dhe gjatësisë gjeografike. Paralelet dhe meridianët janë të caktuara dhe të tërhequra me saktësi, që është karakteristike për hartat bashkëkohore që i përpilojnë sot entet shkencore. Megjithëse harta gjeografike botërore e Al Idrizit është e vjetër 855 vite (duke marrë parasyshë vitin 2008) edhe sot nuk është e kontestueshme. Vlen të theksohet se hartat e atëhershme kanë pasur orientimin jugor, d.m.th. ana e epërme e hartës ka treguar anën jugore.
Për ne është me rëndësi që ky hartograf ka dhënë shënime të çmueshme edhe për Siujdhesën Ballkanike. Përveç tjerash ky aty përmend Sofjen, Beogradin, Senjin, Kninin, Stonin, Splitin, Trogirin, Shibenikun dhe Dubrovnikun. Nga qytetet bregdetare të Shqipërisë Al Idrizi më 1153 përmend Durrësin (Arashin) si një qytet tregtar të lulëzuar me shumë dyqane. Ai përmend edhe Vlorën (Labunën) si një liman me tregëti të zhvilluar.

Ibn Batuta

Gjeografi dhe udhëpërshkruesi më i përmendur arab ka qenë Ibn Batuta (1304 - 1377) nga Maroku. Ka udhëtuar 25 vjet nëpër të gjitha vendet e përmendura të asaj kohe, përkatësisht nëpër Afrikën Veriore dhe Lindore, në Azi të Vogël, Azi të Mesme, Indi, Shri Lankë, në Kinë në lindje, ndërsa në perëndim deri në Spanjë. Kështu për 25 vjet ai kaloi mbi 75.000 milje. Shkroi veprën “Dhuratë kureshtarëve”.

No comments:

Post a Comment