Sistemi botëror kaloi nëpërmjet dy sistemeve kryesore :
- 1. Sistemi Gjeocentrik,
- 2. Sistemi Heliocentrik.
Sistemi Gjeocentrik
Duke vëzhguar lëvizjen e Diellit, e yjeve, Hënës dhe trupave të tjerë qiellor, popujt më të vjetër kanë ardhur në përfundim se Toka është e palëvizshme dhe gjendet në qendër të gjithësisë dhe rreth saj lëvizin Dielli, Hëna, 5 planetët që mund të shihen me sy të lirë, yjet dhe trupat tjerë qiellorë.
Pikëpamjet mbi sistemin gjeocentrik (greqisht : ge - tokë dhe latinisht : centrum - qendër) i kanë paraqitur disa shkencëtarë antikë grekë : Pitagora, Eudoksi, Kllaudie Ptolemeu e tjerë.
Pitagora që në shekullin VI para erës së re ka paraqitur mendimin se Toka ka formën sferike dhe është në qendër të sferës qiellore. Rreth Tokës qarkullojnë të gjithë planetët, Dielli dhe Hëna. Konsiderojnë se Pitagora është themelues i sistemit botëror gjeocentrik.
Eudoksi (409-356 p. e. s) ka qenë nxënës i Platonit. Ai konsideron se Toka është e palëvizshme, ka formën sferike dhe gjendet në qendër të gjithësisë.
Kllaudie Ptolemeu (90-168). Ka qenë përfaqësuesi më i rëndësishëm i sistemit botëror gjeocentrik. Ai ka qenë filozof, matematikan, astronom dhe gjeograf i njohur i Aleksandrisë.
Sipas sistemit gjeocentrik të Ptolemeut, Toka ka formën sferike, por është e palëvizshme dhe gjendet në qendër të gjithësisë. Dielli, Hëna, planetët, yjet dhe të gjithë trupat tjerë qiellorë sillen rreth Tokës me trajektore rrethore. Ngjashëm, por diqka më të ndërlikuar, lëvizjet rrethore rreth Tokës kanë planetët që lëvizin rreth Tokës nëpër rrethin e vogël të quajtur epicikël, ndërsa në të njëjtën kohë, qëndra e atij rrethi lëviz nëpër rrethin me rreze më të madhe rreth Tokës, të quajtur deferent.
Kuptimi gjeocentrik i sistemit botëror, ndonëse ishte i gabuar, ka pasur vlerë në shkencë rreth 1500 vite, përkatësisht deri në shekullin XVI, për shkaqe të shumta. Së pari, mbasi lëvizjet e Tokës nuk mund të vërehen, përkundrazi na duket se Toka nuk lëviz, e rreth saj sillet tërë sfera qiellore me të gjithë trupat qiellorë. Së dyti, kuptimi mbi palëvizshmërinë e Tokës dhe pozita e saj në qendër të gjithësisë përputhet me botëkuptimet religjioze mbi krijimin dhe pozitën e Tokës. Së treti, me ndihmën e epiciklit me sukses është sqaruar fenomeni i halucinacionit (që na duket), prandaj teoria gjeocentrike për një kohë të gjatë ka qenë në fuqi si e saktë.
Sipas sistemit gjeocentrik nuk është e mundur që tërë sfera qiellore dhe bashkë me të edhe yjet më të largëta, të sillen rreth Tokës për 24 orë. Lëvizje kaq e shpejt në gjithësi nuk ekziston. Me kalimin e kohës është vërtetuar se vrojtimet e lëvizjes së planetëve nuk përputhen plotësisht me sistemin gjeocentrik të Ptolemeut, prandaj ndihej nevoja e plotësimit të tij. Në shekullin e mesëm, astronomët arabë diktuan edhe shumë mospajtime në mes të lëvizjes së planetëve dhe të sistemit gjeocentrik të Ptolemeut. Zhvillimi shumë i shpejtë i shkencës, e veçanërisht i astronomisë dëshmoi se sistemi gjeocentrik është kontradiktor dhe joshkencor.
Sistemi Heliocentrik
Aristarku (320-250 p.e.s.), i pari ka paraqitur mendimin gjenial se Dielli është qendra e gjithësisë, përkatësisht ka paraqitur tezën mbi sistemin heliocentrik (greqisht : helios - diell dhe latinisht : centrum - qendra). Pastaj, me plot të drejtë Aristarku konstatoi se distanca Tokë - Diell është tepër e vogël në krahasim me distancën e yjeve nga Toka.
Sipas tij, Toka është në formë sferike dhe sillet rreth boshtit të paramenduar për një ditë, ndërsa rreth Diellit për një vit. Ky mendim i tij gjenial nuk ka mundur të gjejë ithtarë në Greqinë antike dhe ka qenë i harruar deri në shekullin XVI, kur paraqitet mjeku, matematikani dhe astronomi i madh polak Nikolla Koperniku.
Nikolla Koperniku
Nikolla Koperniku (1473-1543), lindi në qytetin Torunj (në gjysmën e rrugës Varshavë - Gdansk). Qëndroi një kohë në Bolonjë, Romë dhe Padovë. Atje u njohura me veprat e shkencëtarëve romakë dhe grekë. Veçanërisht vëmendjen ia tërhoqën veprat e filozofëve, astronomëve dhe matematikanëve grekë të Aristarkut dhe të Hiparkut. Shkencëtari i palodhur, punoi rreth 20 vite në vendin e vogël Prombork, që gjendet në bregdetin e Detit Baltik, mu në grykëderdhjen e lumit Visla. Tani në këtë gjendet muzeu i Nikolla Kopernikut, të cilin polakët e ruajnë me krenari. Koperniku vërtetoi se Toka nuk është qendër e sistemit botëror, por një planet i rëndomtë, që bashkë me planetët e tjerë rrotullohen rreth Diellit për një vit, prej perëndimit në drejtim të lindjes me trajektore rrethore. Varësisht nga largësia prej Diellit janë të radhitur planetët: Merkuri, Venera, Toka, Marsi, Jupiteri dhe Saturni. Për planetët tjerë Koperniku nuk ka ditur. Ata (Urani, Neptuni dhe Plutoni) janë zbuluar më vonë. Koperniku gjithashtu ka vërtetuar se planetët që janë më afër Diellit rrotullohen rreth tij me shpejtësi më të madhe sesa ata që janë më larg Diellit.
Toka rreth Diellit rrotullohet një herë gjatë një viti. Rrotullimi vjetor i Tokës rreth Diellit, pasqyrohet në lëvizjen e dukshme të Diellit nëpër Zodiak.
Zodiaku : është fjalë greke që ka domethënien “rrethi shtazor”, meqë shumica e yjësive janë të emërtuara me emra kafshësh. Të dymbdhjetë yjësitë nëpër të cilat kalon eliptika e përbëjnë brezin zodiac dhe quhet yjësi zodiake. Në secilën yjësi Dielli qëndron afër një muaj : në yjësinë e Bricjapit në janar, Shtëmbes në shkurt, Peshqëve në mars, Dashit në prill, Demit në maj, Binjakëve në qershor, Gaforres në korrik, Luanit në gusht, Vjazës në shtator, Peshores në tetor, Akrepit në nëntor dhe Shigjetarit në dhjetor. Pra, lëvizja e Diellit në eliptikë nëpër yjësitë zodiake është pasqyrim i rrotullimit të Tokës rreth Diellit.
Lëvizja ditore e kupës qiellore prej lindjes në perëndim është e dukshme dhe është pasojë e lëvizjes së vërtetë të Tokës rreth boshtit të vetë në drejtim të kundërt (prej perëndimit në lindje). Kur Toka është më afër Diellit dhe me shpejtësi më të madhe të revolucionit “kalon” planetët më të largëta që kanë shpejtësi më të vogël të revolucionit (Marsi, Jupiteri dhe Saturni) fitohet përshtypja që planetët kanë lëvizje rikthyese. Pra, sipas sistemit heliocentrik të Kopernikut, Dielli është qendra e gjithësisë dhe rreth tij sillen të gjithë planetët, e kështu edhe Toka. Astronomi i famshëm polak, ka qenë i vetëdijshëm, se doktrina nuk do t’i pëlqejë kishës, prandaj rezultatet e hulumtimeve të zbuluara në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit XVI i ka publikuar në vitin 1543, kur ka qenë në moshën 70 vjeqare. Po atë vit ka vdekur Koperniku. Vepra e tij kapitale titullohet “De Revolutionibus Orbium Coelestium” (Mbi lëvizjen e trupave qiellor), e cila në mënyrë të shkëlqyer ringjalli sistemin heliocentrik me të gjitha përparësitë e tij. Më këtë vepër ai, jo vetëm që bëri revolucion në astronomi, por edhe në botëkuptimin e njerëzve të asaj kohe. Kisha e ka kritikuar ashpër veprën e Kopernikut. Doktrina e tij është mallkuar dhe është shpallur si vepër e marrisë. Por, me këtë nuk është bërë e mundshme të shuhet një vepër e vërtetë shkencore.
Herakliti ka qenë bashkëkohaniku i Platonit dhe i Eudoksit. Ka paraqitur mendimin që Toka lëviz rreth boshtit të vet.
Ai bëri hapin vendimtar nga sistemi heliocentrik. Rreth Tokës lëvizin Hëna, Dielli, Marsi, Jupiteri, Saturni dhe Yjet, ndërsa rreth Diellit lëvizin planeti Merkuri dhe Venera.
Tiho De Brahe
Tiho De Brahe (1546-1601), ka qenë astronom dhe simpatizues i Kopernikut, i cili ka tentuar të krijojë sistemin kompromis e të pajtojë ithtarët e sistemit gjeocentrik dhe heliocentrik. Ai nuk e pranonte sistemin heliocentrik të propozuar nga Koperniku, sepse e mundonin paragjykimet fetare, por në fakt e pranonte epërsinë e këtij sistemi ndaj atij gjeocentrik. Në ujdhesën Huene ngriti një prej observatorëve më bashkëkohor të asaj kohe, prej të cilit bëri vrojtime të shumta në planete, veçanërisht në planetin e Marsit.
Ka qenë vrojtuesi më i saktë i shekullit XVI. Gjatë 23 vjetëve bëri disa mijëra vrojtime. Vrojtimet e tij kanë qenë mjaft të sakta, sepse ato i bëri me instrumente dhjetë herë më precize të asaj kohe, të cilat vetë i konstruktoi. Sipas tij, Toka ishte e palëvizshme dhe gjendej në qendër të sistemit botëror. Rreth saj sillen Dielli dhe Hëna, ndërsa të gjithë planetët tjerë sillen rreth Diellit e bashkë me të sillen edhe rreth Tokës. Pasi ky system i tij nuk zgjoi interesim, si i tillë nuk qëndroi për një kohë të gjatë.
Xhordano Bruno
Xhordano Bruno (1548-1600), ky shkencëtar dhe mendimtar italian ka qenë ithtar i entuziazmuar i Kopernikut. Në punimet e veta Xhordano Bruno jo vetëm që predikoi idetë e Kopernikut, por shkoi edhe më larg se ai. Ky vërtetoi se yjet janë shumë larg prej Diellit. Pastaj, shtoi se gjithësia është e pafund dhe se në të gjenden botëra të panumërta të ngjashmeme planetin tonë, ku gjithashtu duhet të ketë jetë. Kjo ishte mjaft kontradiktore në mësimet kishtare. Përfaqësuesit kishtarë, të zemëruar nga kjo, ia dorëzuan Xhordano Brunon gjyqit të inkuizicionit. Nga ai kërkonin që të heqë dorë nga botëkuptimet e veta. Pasi Xhordano Bruno nuk hoqi dorë nga bindjet e veta, e dorëzuan për dënim, e munduan dhe si heretic e dogjën të gjallë në turrë të druve në Romë, në Sheshin e luleve, më 17 shkurt të vitit 1600.
Galileo Galilei
Astronomi, fizikani dhe mekaniku i njohur italian Galileo Galilei (1564-1642) me ndihmën e teleskopit të përsosur që zmadhonte për 40 herë, ka vëzhguar trupat qiellorë dhe ka ardhur deri te disa zbulime të cilat e kanë dëshmuar doktrinën e Kopernikut për sistemin heliocentrik. Ai është i pari që ka zbuluar se në Hënë ekzistojnë gropa, rrafshina e male dhe mjaft saktësisht i llogariti (i mati) largësitë e disa prej tyre. Me fjalë të tjera ka dëshmuar se sipërfaqja e Hënës është e ngjashme me atë të Tokës, përkatësisht, dëshmoi se Hëna nuk ka kurrfarë natyre qiellore të jashtëzakonshme që përshkruhej kohë më parë. Prandaj, përfytyrimet për ndryshimet e mëdha në mes të atyre tokësore dhe qiellore janë të pabaza dhe të gabuara. Pastaj, Galilei zbuloi se rreth planetit Jupiter sillen katër satelit, ashtu sikur Hëna që sillet rreth Tokës. Me këtë ka dëshmuar se nuk është vetëm Toka rreth së cilës sillen trupat qiellorë. Në këtë mënyrë u bë më lehtë që njerëzit të mendojnë se planetët sillen rreth Diellit e jo rreth Tokës. Me anë të teleskopit Galileu ka zbuluar njollat e Diellit, në bazë të të cilave është konstatuar se edhe Dielli rrotullohet rreth boshtit të vet. Pastaj, Galileu, zbuloi fazat e Merkurit dhe të Afërditës. Në bazë të tyre dëshmoi doktrinën e Kopernikut që planetët rrotullohen rreth Diellit. Më në fund, Galileu, duke vëzhguar qiellin yjor, ka konstatuar se galaktikën e përbëjnë një numër i madh yjesh. Pas të gjitha këtyre zbulimeve është bërë i pabesueshëm supozimi se gjithësia kolosale nuk mund të rrotullohet rreth Tokës, relativisht të vogël, për një ditë.
Atëherë zbulimet e Galileut e kanë mahnitur botën shkencore. Rezultatet e zbulimeve të studimeve të veta, Galileu i botoi më 1632 në veprën “Dialogu mbi dy sisteme kryesore të botës”. Në veprën e vet, në formë të bisedës së tre personave, Galileu ka paraqitur argumente që shkojnë në favor të sistemit heliocentrik dhe tallet me kundërshtarët e tij. Pra, Galileu ka dëshmuar saktësinë e doktrinës së Kopernikut dhe ka treguar josaktësinë e sistemit botëror gjeocentrik të Ptolemeut. Për shkak të librit të lartëpërmendur, Galileu në vitin 1633 ka qenë i ftuar në Romë, para gjyqit të inkuizicionit dhe për të shpëtuar nga turra e drruve (djegia) ka qenë i detyruar publikisht “të pendohet” dhe të heqë dorë nga qëndrimet e veta.
Johan Kepleri
Sistemi i Kopernikut ka krijuar bazat shkencore të pamohueshme kur astronomi dhe matematikani i famshëm gjerman Johan Kepler (1571-1630), duke i shfrytëzuar vëzhgimet e sakta të lëvizjes së Marsit rreth Diellit, të cilat i ka bërë Tiho de Brahe dhe në bazë të hulumtimeve të veta 10 vjeqare nga mesi i shekullit XVII, konfirmoi tri ligje themelore mbi lëvizjen e planetëve në sistemin diellor dhe vuri bazat e astronomisë bashëkohore.
- 1. Ligji i parë. - Të gjithë planetët lëvizin rreth Diellit nëpër elipse, ku në vatër (fokus) gjendet Dielli. Natyrisht se ky ligj ka përmbajtje më të gjerë dhe vlen jo vetëm për planetët, por edhe për të gjithë trupat që lëvizin nën ndikimin e forcës tërheqëse. Orbita e Tokës gjithashtu është elipse. Pra, sipas Keplerit u bë kalimi nga orbitat rrethore të Kopernikut në elipsa. Orbitat (trajektoret) e planetëve pak ndryshojnë prej rrathëve. Prej këtij ligji del se distanca e planetëve nga Dielli ndryshon. Prandaj, distanca Tokë - Diellë çdo ditë ndërrohet. Pika më e afërt e Tokës nga Dielli në trajektore quhet perihel (greqisht: peri - afër, pranë dhe helios - diell) e më i largëta afel (greqisht: ap - larg, dhe helios - diell). Pra ky ligj përcakton formën e rrugës (trajektores) së planetëve rreth Diellit.
- 2. Ligji i dytë. - Radius-vektorët e planetëve për intervale të njëjta kohore përshkruajnë sipërfaqe të njëjta. Radius-vektorët e planetëve janë drejtëza, që bashkojnë qendrën e Diellit me qendrat e planetëve. Shpejtësia e planetëve që lëvizin rreth Diellit nuk është e njëjtë në çdo pjesë të trajektoreve, por ndryshon. Ajo varet nga largësia e planetëve nga Dielli. Afër perihelit shpejtësia e planetëve është më e madhe, ndërsa afër afelit, më e vogël. Pra, sipas ligjit të dytë të Keplerit, shpjegohet shpejtësia e llojllojshme e planetëve. Të dy ligjet Kepleri i botoi në veprën “Astronomia nova” (Astronomia e re) më 1609.
- 3. Ligji i tretë. - Katrorët e periudhës së rrotullimit të planetëve rreth Diellit janë proporcionalë me kubet e largësive mesatare të tyre prej Diellit. Nëse periudhën e rrotullimit dhe largësinë mesatare të një planeti nga Dielli, e shënojmë me T dhe a1 e të planetit tjetër T2 dhe a2, ligji i tretë i Keplerit mund të shprehet me formulën : T12:T22=a13:a23. Pra, me ligjin e tretë të Keplerit, janë përcaktuar raportet reciproke ndërmjet planetëve dhe Diellit. Meqë, sipas ligjit të tretë të Keplerit, të gjitha largësitë e planetëve nga Dielli mund t’i caktojmë nëse e dimë largësinë e Tokës nga Dielli, kështu që gjatësia e largësisë mesatare të Tokës mirret për një njësi gjatësie dhe quhet njësi astronomike. Ajo është 149.500.000 km. Nëse largësia e planetit nga Dielli është e madhe, rrotullimi i tij rreth Diellit do të jetë më i gjatë dhe anasjelltas. Kështu për shembull, planeti më i afërt i Diellit është Merkuri dhe revolucioni i tij zgjat vetëm 88 ditë të Tokës.
Isak Njutni
Me ligjet e Keplerit është vërtetuar se si planetët rrotullohen rreth Diellit. Por, ata nuk i japin përgjigje pyetjes : pse planetët rrotullohen rreth Diellit ? Kësaj pyetjeje i ka dhënë përgjigje matematikani dhe fizikanti gjenial anglez Isak Njutni (1643-1727) me ligjin e përgjithshëm të gravitetit (latinisht : gravitas - peshë, tërheqje) që thotë : fuqia e gravitetit ndërmjet dy trupave është në përpjesëtim të drejtë me prodhimin e masave të tyre, ndërsa në përpjesëtim të zhdrejtë me katrorin e distancës ndërmjet tyre. I shprehur me anë të formulës, ligji i përgjithshëm i gravitetit, duket si vijon :
Ligjin e përgjithshëm të gravitetit Isak Njutni e zbuloi në vitin 1665 dhe botoi në veprën “Bazat matematike të filozofisë natyrore” më 1687. Njutni ka vërtetuar se Toka tërheq Hënën, ndërsa Hëna Tokën. Pasi masa e Tokës është shumë më e madhe se masa e Hënës, Toka e detyron Hënën të sillet rreth saj, sepse Toka ka gravitetin 6 herë më të madh se Hëna. Për këtë arsye, nëse një person në Tokë peshon 72 kg, po ky person në Hënë do të peshonte 12 kg. Pra, nëse trupat kanë masën më të madhe, ato kanë ëshë forcën më të madhe të tërheqjes. Prandaj, trupi me masë më të vogël rrotullohet rreth trupit me masë më të madhe. Pasi që Dielli, ka masë dhe gravitet shumë të madh, tërheq dhe i detyron të gjithë anëtarët e sistemit diellor të rrotullohen rreth tij. Masa e Diellit është 750 herë më e madhe nga masa e gjithë planetëve bashkërisht që i takojnë këtij sistemi. Forca tërheqëse është karakteristike për çdo materie, madje edhe për grimcat më të vogla të gjithësisë.
Kështu gradualisht dhe me vështirësi të jashtëzakonshme është përvetësuar njëherë e përgjithmonë sistemi heliocentrik. Më së pari, Koperniku vërtetoi lëvizjen e Tokës dhe të planetëve të tjerë rreth Diellit. Pastaj, Kepleri zbuloi ligjet sipas të cilave planetët rrotullohen rreth Diellit, ndërsa Isak Njutni ka shpjeguar pse planetët rrotullohen rreth Diellit.
No comments:
Post a Comment