Monday, August 4, 2014

Shkaqet që dëmtojnë nervat e ndjeshmërisë, lëvizjes, frymëmarrjes…

Prania e sëmundjeve të ndryshme si diabeti, problemet me mëlçinë, veshkat, etj mund të dëmtojnë nervat duke shkaktuar të ashtuquajturat neuropati periferike. E nëse këto të fundit nuk trajtohen në kohë, mund të sjellin dëmtime të mëdha të cilat kanë të bëjnë me vështirësitë në lëvizje, frymëmarrje, humbjen e ndijimit, etj. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekja Ilda Xhelili tregon se rruga më e mirë për të parandaluar këto ndërlikime fillimisht është kurimi i kujdesshëm i sëmundjes, në rast se neuropatia rrjedh prej saj, dhe më pas vendosja e një regjimi të rregullt sa i takon dietës ushqimore, përdorimit të medikamenteve, si dhe kryerjes së aktiviteteve fizike. Regjim i cili në çdo rast duhet të marrë vulën e mjekut neurolog. Sipas saj duhet bërë kujdes maksimal dhe të hiqet dorë nga praktikat e gabuara të marrjes së qetësuesve në farmaci pa lejen e mjekut. Kjo praktikë nuk mund të sjellë lehtësim të dhimbjeve, por vetëm e rëndon edhe më shumë gjendjen shëndetësore të pacientit. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar format kryesore të shfaqjes së neuropative periferike, si dhe kujdesin që duhet ndaj tyre. Neuropatia periferike prek kryesisht duart dhe këmbët. Një nga format më të zakonshme të neuropatisë përfshin një mpirje të lehtë dhe ndjesi shpimi gjilpërash, e cila shfaqet në të këmbëve dhe shputave, dhe herë pas here dëmton edhe gishtat. Mund të shkaktojë dhimbje të forta të cilat prekin gjithë trupin dhe bëhen më të dukshme gjatë orëve të natës.



Çfarë janë neuropatite periferike?

Si rezultat i shkaqeve të ndryshme, mund të ndodhë dëmtimi i nervave periferikë, të cilët janë përgjegjës për ndjeshmërinë (sensibilitetin), funksionin e lëvizjes, funksionin e gjëndrrave të ndryshme të organizmit apo të organeve në varësi të nervit të prekur. Kur preket një nerv i vetëm, kemi të bëjmë me mononeuropati, dhe kur prekja është simetrike, bilaterale ose preken më shumë se dy nerva, thjesht e quajmë polineuropati. Ndonjëherë, preken shumë nerva të veçantë në fusha të ndryshme të trupit të njeriut dhe atëherë kemi të bëjmë me mononeuropati multifokale (të shumëfishta). Neuropatite periferike mund të jenë kronike kur shfaqen përgjatë një periudhe të gjatë kohore dhe kanë progres (ecuri) të ngadaltë, por mund të jenë edhe akute (të menjëhershme) me fillim të papritur, përparim të shpejtë, por që edhe zgjidhja e problemit vjen në mënyrë të ngadaltë. Neuropatitë akute kërkojnë vendosjen sa më shpejt të diagnozës sepse nervat që mund të preken janë jetike për organizmin. Nervat e prekur mund të jenë motorikë (që përgjigjen për kontrollin muskular), mund të preken nervat ndijorë ose nervat që kontrollojnë funksionet automatike të tilla si tkurrja e muskulit të zemrës, muskujt interkostalë (që marrin pjesë në procesin e frymëmarrjes ), nervat që kontrollojnë temperaturën e trupit, etj. Neuropatitë periferike mund të klasifikohen sipas nervit të prekur ose edhe sipas shkakut themelor që i ka shkaktuar ato. Kur shkaku është i panjohur i përshkruajmë si neuropati idiopatike.



Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë që çojnë në shfaqjen e neuropative?

Shkaktarët janë të shumtë, ashtu sikurse mbeten edhe të panjohur. Në radhë të parë do të përshkruaja sëmundjet e ndryshme si për shembull ato gjenetike (të trashëguara), sëmundjet metabolike ku vendin kryesor e mban diabeti mellitus (diabeti i shqerit). Prandaj, është mjaft e rëndësishme në radhë të parë prevenimi (parandalimi) i sëmundjes, por edhe trajtimi me përpikmëri i saj për të mos degjeneruar sëmundja në stade të pakthyeshme. Në këtë aspekt sot theksohet me force për ndryshimin e stilit të jetesës, për një ushqyerje të shëndetshme dhe jetë aktive fizike. Sëmundje të tjera përmendim ato të veshkave (insuficienca renale), të mëlçisë (insuficienca hepatike), hypotireoza (funksioni i ulur i gjëndrës tiroide), shkaqet toksike nga medikamente të ndryshme kur merren pa kriter dhe nuk respektohen dozat, helmimi me metale organike dhe metale të rënda. Shkaktarët mund të jenë edhe traumatike, si për shembull aksidente me makinë, rënie nga lartësitë, plagë me armë zjarri ose djegie të sipërfaqeve të mëdha, prerja, shkarkime elektrike, dëmtimet nga rrufetë. Të tjerë shkaktarë mund të rendisim rrezatimet, kimioterapitë, sëmundjet malinje, sëmundjen e HIV-it, sëmundjet herpetike, etj.



Cilat janë shenjat kryesore klinike?

Shenjat klinike janë të shumëllojshme, në varësi të nervave të prekur. Zakonisht kemi prekje të funksionit ndijor, pacientët perceptojnë ndjesinë e mpirjes në vende të ndryshme, dridhje, çrregullime të ecjes deri në vështirësi në ecje, ndjesia e shpimit me gjilpëra ose gjemba, kruajtje, dhimbje. Dhimbja mund të bëhet intensive që të kërkojë edhe përdorimin e qetësuesve. Gjithashtu pacientët kanë dobësi të përgjithshme, ndihen vazhdimisht të lodhur, kanë dridhje të muskujve të ndryshëm, dhimbje të muskujve (mialgji), çrregullime të dëgjimit deri në shurdhim, dhimbje barku, neuroza, gjendje ankthi, gjendje depresive, etj.



Cila është terapia trajtuese që duhet ndjekur në të tilla raste ?

Për sa i përket terapisë, në shumicën e rasteve ajo është simptomatike, pra mjekohen kryesisht simptomat klinike të sëmundjes dhe jo shkaktarët e saj. Rëndësi të madh ka qetësimi i dhimbjeve sidomos kur ato janë të forta. Sigurisht që këto janë probleme që trajtohet nga mjeku specialist (neurologu). Sigurisht që kur neuropatite periferike janë si pasojë e sëmundjeve të ndryshme që përmendëm më lart, atëherë merr rëndësi të dorës së parë trajtimi i sëmundjes primare. Rezultate mjaft pozitive jep edhe fizioterapia, si edhe jeta aktive, sportive. Do këshilloja që në asnjë rast të mos veprohet me marrjen e qetësuesve nëpër farmaci për qetësimin e dhimbjeve nëse nuk jeni konsultuar më parë me mjekun specialist. Kjo pasi në vend që të qetësoni dhimbjet, mund të ndërlikoni problemin shëndetësor edhe më shumë

No comments:

Post a Comment